Studentët e UBT-së përfitojnë nga bursat e programit Erasmus+

01/02/2017

Partneriteti i UBT-së me mbi 250 universitete prestigjioze dhe institucione ndërkombëtare po shërben si shteg nëpër të cilin po kalojnë studentët e UBT-së, për të përjetuar ndjenjën e të qenit pjesë e universiteteve më të njohura botërore, karshi studentëve nga e tërë bota.


Si rezultat i këtij bashkëpunimi, studenti i vitit të tretë në drejtimin e Shkencave kompjuterike në UBT, Ardit Podrimaj ka qenë përfitues i bursës së programit Erasmus+, për vijimin e studimeve në Universitetin NOVA, në Lisbonë të Portugalisë, ku do të qëndrojë edhe për një semestër.


Podrimaj tha se qëndrimi dhe studimi në Portugali është përvojë unike në aspektin shkencor e social.

“Studimi në Portugali paraqet një përvojë interesante dhe të dobishme për të formuar shprehi të punës se sistemuar, si dhe ndikues për formimin e shoqërive të reja me njerëz të kombësive të ndryshme”, u shpreh ai, teksa shtoi se “sukseset janë rezultat i dëshirës së madhe për të mësuar, si dhe fryt i bashkëpunimit  të ngushtë me profesorët dhe pjesën tjetër të stafit të UBT-së”.

Duke folur për planet e së ardhmes, Podrimaj tha se dëshiron të kthehet në UBT për përfundimin e temës së diplomës, si dhe më pas planifikon të punësohet në ndonjë kompani ose të fillojë biznesin e tij personal.