UBT-ja certifikon 14 administratorët e parë për ndërtesat në bashkëpronësi

13/04/2016

Katërmbëdhjetë administratorë për ndërtesat në bashkëpronësi janë certifikuar, të mërkurën, në objektin e UBT-së në Lipjan. Administratorëve, certifikatat u janë dhënë nga ministri i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), dr. Ferid Agani, si dhe Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi.


Ministri i MMPH-së, Agani, ka lëvduar UBT-në, si institucion i vetëm i lartë arsimor në Kosovë, i licencuar për certifikimin e administratorëve për ndërtesat në bashkëpronësi. 

 

“UBT-ja e ka kryer me sukses këtë fazë të zbatimit të Ligjit për Ndërtesat e Banimit në Bashkëpronësi”, ka thënë Agani, teksa e ka cilësuar nder që ai t’ua dorëzojë certifikatat administratorëve të parë në Republikën e Kosovës.


Sipas ministrit, kjo veprimtari do të përmirësojë cilësinë e jetesës së qytetarëve të vendit, që jetojnë në ndërtesa në bashkëpronësi.


Nikoqiri i ceremonisë, rektori, prof..dr. Edmond Hajrizi, ka thënë se UBT-ja njihet për mbështetjen që jep në fusha të ndryshme arsimore e profesionale dhe për kontributin në rritjen e kualitetit të kuadrove, në profesione të ndryshme.


Edhe Hajrizi e ka cilësuar lart dhënien e certifikatave të para në këtë fushë, si dhe besimin që i është dhënë UBT-së nga MMPH-ja për trajnimin dhe certifikimin e administratorëve.


“Ky është një rol model për gjeneratat e tjera, që ky standard, kriter e kompetencë të ruhet edhe më tutje”, theksoi Hajrizi, për të treguar se UBT-ja, në fazën e parë, ka përgatitur 14 administratorë dhe se do të vazhdojë me trajnime të kësaj natyre.


Trajnimi ka filluar në nëntor 2015 dhe ka mbaruar në mars 2016.

 

Njëri nga administratorët e certifikuar, Zenel Gashi, tha se mbështetja e ekipit të MMPH-së dhe ekipit trajnues të UBT-së ishte e madhe. Por, ai u kërkoi Ministrisë, inspektorëve dhe faktorëve të tjerë relevantë që të fillojnë një fushatë sensibilizuese dhe t’i informojë banorët për këtë ligj, pasi që sipas tij, mungojnë informatat.