Rektori Hajrizi prezanton aktivitetet e Qendrës së UBT-së për Siguri Kibernetike në konferencën ndërkombëtare “Siguria Kibernetike dhe Privatësia”

18/01/2016

18 janar. – Aktiviteti i Qendrës së UBT-së për Siguri Kibernetike dhe kontributi i saj në krijimin e kuadrove te reja në fushën e sigurisë dhe të privatësisë, ka qenë fokusi i fjalës së rektorit të UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi në konferencën ndërkombëtare “Siguria Kibernetike dhe Privatësia”, organizuar nën patronazhin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në bashkëpunim me Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Njësitin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatim të Ligjit (ILEK) të Policisë së Kosovës, Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës e organizata të tjera.


UBT ishte partneri organizativ i konferencës, në të cilën morën pjesë profesorë dhe studentë të shumtë të UBT-së dhe ku prezantimi i punës së Qendrës së UBT-së për Siguri Kibernetike u prit me mjaft interes nga pjesëmarrësit e shumtë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Para pjesëmarrësve në konferencë, rektori Hajrizi tha kjo qendër shërben tashmë si pikë reference për zhvillimin e diskutimeve në këtë fushë dhe për dhënien e këshillave për të gjitha institucionet e interesuara dhe në të gjitha nivelet.

 

Ai përkujtoi se UBT ka zhvilluar aktivitete të hershme në fushën e sigurisë, duke përfshirë edhe bashkëpunimin me universitete ndërkombëtare, që ka rezultuar me një përvojë dhe hulumtim me shumë interes.

 

UBT ka të akredituar në studimet master në programin Siguria e Informacionit dhe Privatësia, që është programi i parë i akredituar në këtë fushë jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, si dhe shumë drejtime të tjera të studimit, si Shkencat kompjuterike, Sistemet e Informacionit. Nisur nga kjo, ekziston një bazë e mirë që të krijojmë disa kuadro në këtë fushë. UBT ka edhe laboratorët në kuadër të Kampusit Inovativ të UBT-së, ku ka një grup të pajisjeve dhe një hapësirë shumë të mirë për hulumtime në këtë fushë.

 

Gjithashtu studentët e UBT-së janë dalluar në shumë aktivitete në fushën e sigurisë dhe privatësisë, si në vend ashtu edhe jashtë vendit.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, në fjalën e tij, tha se në vitin 2015 është hartuar Strategjia kombëtare për rritjen e sigurisë kibernetike. Ai theksoi se kjo fushë kërkon ekspertë të përgatitur, në mënyrë që të mbrohen institucionet financiare nga këto krime. 

“Nëpërmjet promovimit të kësaj fushe, Teknologjinë Informative do ta bëjmë njërën nga fushat më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik. Këtë e shohim edhe në ekonomitë e vendeve më të zhvilluara. Është njëra nga temat kryesore të ekonomisë dhe sot po bën që të ndryshojë struktura e ekonomisë, që të ndryshojnë dhe të transformohen proceset e ndryshme në kuadër të gjithë sektorëve të ekonomisë”, tha ai. 


Stavileci ka rikujtuar se në funksion të zhvillimit të këtij sektori, është dhënë në shfrytëzim një objekt në Gërmi, i cili do të shërbejë si bëjë inkubator i biznesit për fushën e TIK-ut. “Në të ardhmen, ai potencialisht mund të shndërrohet në një park teknologjik”. 

Kreu i MZhE-së, më tej, theksoi se në bashkëpunim me Bankën Botërore po punojnë për zhvillimin e një të ashtuquajturës “Ekonomia Digjitale e Kosovës”, duke u bazuar në tri shtylla: Infrastruktura digjitale, Edukimi digjital dhe Bizneset digjitale.

Ndërsa, Bedri Hamza, guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës, tha se me avancimin e teknologjisë është shtuar dhe rrezikshmëria në këtë fushë.

“Çfarë ka qenë e mjaftueshme për t’u mbrojtur nga kërcënimet kibernetike në të kaluarën nuk është e mjaftueshme sot. Mbrojtja gjithnjë e më gjerë e sistemit të informacionit lidhet me interesat kriminale të individëve dhe grupeve të shumta”, tha Hamza. 

Ndërkaq, Agron Mustafa, drejtor i Telekomit të Kosovës, u shpreh se Telekomi/Vala operon qe më se 16 vjet. “Sot ku po flasim për sigurinë kibernetike dhe mbrojtjen e informacionit, mund ta marrim me mend se çka do të kishte ndodhur potencialisht në qoftë se Telekomi i Kosovës nuk do të ishte i sigurt në mbrojtjen e të gjithë informacioneve që qarkullojnë, apo kanë qarkulluar”. 


Sipas tij, Telekomi i Kosovës me vite të tëra ka qenë pre e perceptimeve të gabuara se ka mungesë të mbrojtës së të dhënave dhe informatave që kanë kaluar aty për shkaqe të ndryshme. “Si rezultat i këtij perceptimi nuk kemi qenë edhe aq të padëmtuar”.

 

Kurse, Mentor Hoxhaj, kryesues i Konferencës “Siguria Kibernetike dhe Privatësia”, e vlerësoi këtë si një ngjarje shumë të rëndësishme. Ai bëri të ditur se konferenca do të jetë dyditore, me panelistë të ndryshëm nga e gjitha bota. Pjesëmarrës në konferencë janë edhe rreth 30 hakerë shqiptarë.