Dr. Fatmir Sejdiu në konferencën e UBT-së, flet për trashëgiminë kulturore dhe historike të Kosovës
26/11/2015Konferenca “Dita e Trashëgimisë Kulturore dhe Historike të Kosovës”, e organizuar nga Shoqata Austriako-Kosovare dhe UBT, ka mbledhur sot në Prishtinë pjesëmarrës të shumtë, përshirë ish-Presidentin e Republikës së Kosovës, dr.Fatmir Sejdiu, ish-ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, drejtorin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Alban Bakija, Sali Shoshin nga “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, Gjejlane Hoxha Belegun nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore, Baton Haxhiun nga TV Klan, dr.Lulzim Beqirin, dekan i Fakultetit të Arkitekturës në UBT e profesionistë të tjerë.
Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, në hapje të konferencës, ka theksuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe historike të Kosovës dhe angazhimin e UBT-së për të dhënë kontributin e tij edhe në këtë fushë, sikur në shumë fusha me interes për vendin dhe për shoqërinë kosovare.
Prof. Dr. Fatmir Sejdiu, president i Republikës së Kosovës në periudhën 2006 -2010, fillimisht i bëri një pasqyrë raporteve Austri-Kosovë.
“Marrëdhëniet e shqiptarëve me Austrinë dhe popullin e saj, pavarësisht periudhat historike, qofshin ato të hershme, apo këto të mëvonshmet, janë ndërtuar mbi bazë të një miqësie të thellë. Kjo në radhë të parë vjen si rezultat i të bëmave të shumta pozitive që shprehen me mbështetje të rëndësishme për shqiptarët dhe që i gjejmë si veprime të pazëvendësueshme atëherë kur bëhej historia”, tha ai.
Më tej ai vuri theksin te zhvillimet rreth anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. “Vendimi i para pak ditësh për mospranimin e Kosovës në atë sesion të vendeve anëtare të OKB-së, për sa ishte jo i lehtë për Kosovën, për aq mendoj se duhet kuptuar si një sinjal për njerëzit e Kosovës dhe në veçanti përgjegjësit në institucione se duhet ndërruar shumë çka në qasjen e tyre të përgjithshme, si në udhëheqje me vendin dhe po kështu edhe në punën për promovimin e vlerave reale kulturo – historike që i ka ky vend”, tha dr.Sejdiu, duke shtuar se angazhimi i Serbisë dhe i gjithë rrjetit të saj diplomatik për të penguar Kosovën për anëtarësim të këtë institucion të rëndësisë së posaçme ndërkombëtare, nuk ka se si të kuptohet ndryshe, pos si një përpjekje minuese e saj për të penguar shtetin e ri duke e dëshiruar dështimin e qëndrueshmërisë së tij si shtet i pavarur.
Ai tha se çështja e mbrojtjes së trashëgimisë së përgjithshme kulturore dhe historike të vendit ka qenë një temë e rëndësishme në bisedimet për statusin final të Kosovës.
“Duke qenë dëshmitarë, por edhe pjesëmarrës në procese të rëndësishme që i ka kaluar vendi në rrugën e tij drejt pavarësimit, dua të nënvizoj faktin se veçanërisht në bisedimet e Vjenës për statusin të udhëhequr nga Marti Ahtisaari dhe në ato 120 ditë të tjera të shtesës e që ishin jashtëzakonisht të ndjeshme, njëra nga temat e rëndësishme, përveç çështjes së statusit, ka qenë çështja e mbrojtjes së trashëgimisë së përgjithshme kulturore dhe historike të vendit, për të cilën pala serbe ka pretenduar se është trashëgimi e saj, duke dashur kështu të manipulojë faktet historike. Edhe atëherë e, edhe sot është dhënë dhe besoj se edhe sot jepet përgjigjja; e gjithë kjo trashëgimi është e Kosovës dhe e njerëzve të saj dhe se si e tillë duhet mbrojtur dhe kultivuar. Ajo trashëgimi është e bollshme, duke filluar nga më e hershmja e deri te ajo e ditëve të sotme”, tha Sejdiu.
Duke vënë theksin te veprimet që duhet të bëhen tash dhe në të ardhmen, ish-Presidenti Sejdiu theksoi se Kosovës, tani dhe në vazhdimësi i nevojitet një stabilitet i qëndrueshëm politik i cili në situatën e krijuar kërkon veprime të urta dhe shumë racionale që nënkupton një ujdi nacionale-shtetërore për të gjitha temat e mëdha e të ndjeshme që i ka para vetës.
Ai tha se stabiliteti i qëndrueshëm i vendit nuk mund të supozohet vetëm me forcën e numrave, por edhe me kualitetin e veprimeve.
Z.Sejdiu tha se nevojitet një ridizajnim i strategjisë së veprimit për punën e gjithë mekanizmave institucionalë të vendit, duke filluar nga vetë puna e institucioneve të qeverisjes në nivel lokal dhe veçanërisht të atyre që merren me mbrojtjen, zhvillimin dhe kultivimin e vlerave kulturore e historike të vendit, duke u siguruar mbështetje shtesë dhe shumëdimensionale për punët që i presin;
Sipas tij, duhet të bëhet konceptimi dhe promovimi i politikave shtesë për punën e institucioneve përgjegjëse dhe respektive, sidomos në fushën e arsimimit, edukimit, shkencës dhe kulturës, mbrojtjes së mjedisit etj., si dhe harmonizimi i këtyre politikave dhe veprimi i koordinuar i institucioneve përgjegjëse, përkatësisht ministrive si në hapësirën brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij, dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe organizmave të tjerë që merren me këto problem.
Ai përmendi edhe investimin në projekte faktografike dhe publikime të reja, të cilat japin një pasqyrë edhe më të bollshme të kësaj trashëgimie, mundësisht në shumë gjuhë, pra edhe në gjuhën e popujve numerikisht edhe më të paktë në numër sesa Kosova, sepse vota e tyre është e barabartë;
Ai theksoi edhe një varg veprimesh, si organizimi i ngjarjeve me peshë të veçantë nga fusha respektive, prezantimi më i gjithanshëm i vlerave të pakontestueshme kulturale dhe humaniste që reflektojnë bashkëpunimin dhe tolerancën ndërfetare të besimeve dhe konfesioneve të ndryshme brenda një etnie, apo midis etnive të ndryshme, prezantimi i respektit real të qytetarëve të Kosovës për monumentet e kultit, konceptimi i një strategjie shtesë për kontakte diplomatike, angazhimi për sigurimin e mbështetjes së vazhdueshme lobuese të vendeve që deri tani kanë dhënë kontribut të rëndësishëm mbështetës në shtimin e njohjeve për Kosovën e që kjo të vazhdojë si e tillë e veprime të tjera.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Alban Bakija theksoi ndër të tjera se mospranimi i Kosovës në UNESCO është vendim jo i drejtë.
Ai e konsideroi të rëndësishëm faktin se çdo popull duhet t’i dijë vlerat e tij kulturore, trashëgiminë si dhe monumentet.
Sipas Gjejlane Hoxha Belegut nga Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore saj, Kosovës i duhet ndihmë nga vendet e huaja për të krijuar standarde të mira e të reja. Ajo tha se monumentet e trashëgimisë kulturore janë të bollshme për ne që i dimë dhe i vizitojmë. Por, të shikohet nga ana tjetër e mediave të huaja, ata gabojnë ngase mendojnë se as nuk ka monumente e lëre më që të respektohen.
Ajo po ashtu e ka përmendur UNESCO-n, duke e konsideruar se ishte një zhgënjim total mosanëtarësimi i Kosovës. “ Misioni i Kosovës dhe i UNESCO-s është mbrojtja e trashëgimive dhe monumenteve kulturore”, u shpreh Gjejlane Hoxha, duke shpresuar se viti 2017 do ta gjejë Kosovën më të përgatitur që ta kalojë këtë sfidë.
“Nëse nuk jemi pranuar këtë vit nuk do të thotë që UNESCO na ka harruar”, theksoi ajo.
“Të gjithë duhet t’i përmbushim punët dhe përgjegjësitë që brezat pasardhës të kenë më shumë interesim për ruajtjen e monumenteve kulturore dhe për mbështetjen në këtë mision”, tha ndër të tjera ajo.
Islam Lauka, ish-ambasador i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, ndër të tjera theksoi se Kosova nuk mund të shkojë në UNESCO vetëm me ndihmën e një individi ose disa individëve ose edhe grupeve të caktuara por me të gjithë. Dhe nëse bëhet kjo, atëherë anëtarësimi është i sigurt.
Kur kemi mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe traditave tona atëherë edhe mekanizmat ndërkombëtarë do të na mbështesin”, tha z.Lauka.
Trashëgimia kulturore duhet mbrojtur jo vetëm e Kosovës por e të gjithëve, jo sepse duan serbët, as turqit, as askush por duhet mbrojtur për nder të Kosovës, tha Lauka.
Ai gjithashtu përmendi kontributin e Austrisë për zgjimin kulturor të shqiptarëve dhe afirmimin politik të tyre.
Sali Shoshi, Udhëheqës i Organizatës “Trashëgimia Pa kufij”, i kushtoi rëndësi menaxhimi me lokalitetet. Ai tha se duhet të ekzistojë një faqe zyrtare për këtë sektor që të mund të njoftohen qytetarët për këtë temë.