UBT zgjeron bashkëpunimin me universitetet në Hungari
02/11/2015UBT po vazhdon të shtojë numrin e universiteteve partnere dhe të zgjerojë bashkëpunimin me një varg universitetesh evropiane, në fusha të ndryshme të bashkëpunimit, me interes të ndërsjellë.
Kështu, gjatë këtyre ditëve, rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, ka vizituar Universitetin Semmelweis, që është universiteti më i madh i shkencave të mjekësisë në Hungari.
Me këtë rast, me dekanin e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë, dr.Zoltan Zsot Nagy, z.Hajrizi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi midis dy institucioneve, e cila siguron mundësinë e shkëmbimit të stafit dhe të studentëve, njohjen e ndërsjellë të diplomave, realizimin e projekteve të përbashkëta dhe një varg mundësish të tjera.
Theks i veçantë iu kushtua bashkëpunimit në fushën e infermierisë.
Gjatë qëndrimit në Budapest, gjithashtu, rektori Hajrizi vizitoi universitetin e njohur nga Hungaria, Pazmany Peter University dhe u njoh me punën e këtij institucioni dhe mundësitë që ofron ai për studentët dhe stafin e UBT-së.
Siç dihet, UBT dhe Universiteti Pazmany Peter University tashmë kanë një marrëveshje bashkëpunimi, e cila është nënshkruar javën e kaluar nga rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi dhe presidenti i Pazmany Peter University, dr. Szuromi Szabolcs.
Po kështu, rektori Hajrizi vizitoi edhe Universitetin Corvinus në Budapest, një universitet partner i UBT-së, me të cilin ka marrëveshje bashkëpunimi në fushën e inxhinierisë së ushqimit dhe sigurisë së ushqimit.
UBT dhe universitetet hungareze kanë realizuar dhe do të vazhdojnë të realizojnë një varg projektesh të bashkëpunimit, përfshirë edhe angazhimin e përbashkët në disa projekte nga Komisioni Evropian, në kuadër të projekteve “Erasmus +”.