UBT institucioni i vetëm i autorizuar për trajnimin dhe certifikimin e administratorëve të ndërtesave në bashkëpronësi

03/10/2015

Organizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Plafikimit Hapësinor, është mbajtur konferenca për Administrimin e Ndërtesave në Bashkëpronësi, me qëllim të zbatimit të ligjit 04/L0134.

Ministri dr. Ferid Agani, zyrtarë nga komunat e Kosovës, zyrtarë të tjerë institucionalë, përfaqësues të organizata ndërkombëtare, të shoqatave qeveritare dhe joqeveritare e ekspertë të fushës dhanë kontributin e tyre në konferencë.


Ishte i pranishëm edhe rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi dhe përfaqësues të tjerë të këtij institucioni.

Të theksojmë këtu se UBT është institucioni i vetëm i autorizuar, i cili do të bëjë trajnimin dhe certifikimin e administratorëve të ndërtesave në bashkëpronësi.

Ministri Ferid Agani falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, duke potencuar rëndësinë e zbatimit të këtij ligji që ka për qëllim të ndihmojë lehtësimin e jetës së qytetarëve, ku UBT, si institucion i autorizuar, do të ndihmojë në këtë proces.

Rektori i UBT-së, prof.dr. Edmond Hajrizi theksoi se UBT si institucion i arsimit të lartë, me përvoja të shumta në fushën e trajnimeve dhe projekteve ndërkombëtare e sidomos nga Austria, do të ndihmojë procesin e trajnimit dhe certifikimit në gjithë territorin e Kosoves, ku do të lehtesojë jetën e qytetarit të Kosovës, duke ngritur cilësinë dhe sigurinë e të gjithë banorëve.


Dr.Hajrizi tha se UBT është i gatshëm të fillojë menjëherë me fazën e trajnimeve, duke ofruar personel të specializuar për këto trajnime, teknologjinë dhe infrastrukturën e UBT-së në Prishtinë, por edhe në komunat e tjera, si në Ferizaj, Prizren, Gjilan etj., që do të jenë në shërbim të të gjithë atyre që synojnë të jenë pjesë e programit për trajnim dhe certifikim.


Pjesë e kësaj konference ishte edhe debati i hapur, ku u diskutua rreth ligjit, zbatimit dhe mënyrës së trajnimit dhe certifikimit, debat që zgjoi interesimin e madh të kompanive dhe shoqatave për të bashkëpunuar me UBT-në për ngritjen e kapaciteteve njerëzore profesionale për trajnim dhe certifikim në këtë fushë.

Një videomaterial nga konferenca, përfshirë edhe deklaratën e Rektorit Edmond Hajrizi e gjeni në linkun: https://vimeo.com/140913425