Në UBT u organizua konferenca mbi të drejtat e pronës

02/10/2015

Në vazhdën e konferencave të organizuara në UBT, sot i zhvilloi punimet konferenca e radhës, që trajtoi temën e të drejtave të pronës, një temë me shumë interes për zhvillimin dhe rregullimin e këtij sektori në vendin tonë.

 

Konferenca e organizuar nga Shoqata Austriake dhe UBT-ja dhe e drejtuar nga Gunther Fehlinger,  vuri në diskutim çështje të ndryshme që lidhen me pronën, regjistrimin e saj dhe aspekte të tjera.

 

Përfaqësues nga institucionet e nivelit qendror, institucionet e gjyqësorit dhe të agjencive profesionale që trajtojnë çështjen e pronës, si dhe përfaqësues të institucioneve të tjera e ekspertë të fushës ishin të pranishëm në konferencë dhe dhanë kontributin e tyre në trajtimin e temës së pronës.

 

Rektori i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, në hapje të konferencës, theksoi edhe një herë rëndësinë dhe kontributin që po japin konferencat e organizuara në UBT, për trajtimin e një varg temash me shumë interes për shoqërinë kosovare.

 

Ai tha se temat e konferencave janë me shumë interes për qytetarët. Në këtë rast, ai theksoi se çështja e pronës është një temë që zgjon interesin e çdo familjeje e çdo qytetari, që ballafaqohet me sfidën e pronësisë, sigurimin e saj, si dhe pagesën e taksave.

 

Armend Kelmendi, përfaqëues i Institutit të Integrimit Europian, tha se kjo organizatë dhe Shoqata Austriake bashkëpunojnë tash dy vite dhe kanë pasur shumë organizime e konferenca ku kanë shpalosur tema të ndryshme.

 

Ai tha se tema e trajtuar sot është tejet e rëndësishme për Kosovën sidomos sa i përket harmonizimit me standardet e BE-së.

 

“Me sigurimin e pronës mund ta sigurojmë edhe jetën, ngase prona është pjesë e pandashme e jetës së njeriut. Me këto hapa ne jemi drejt standardeve të BE-së dhe shumë shpejt mund të antarësohemi”, tha Kelmendi.

 

Arbena Shehu nga Rrjeti i Grave tha se duhet bërë përpjekje për përmirësimin e të drejtave të grave në pronë, ku gratë duhet të kenë më shumë rol në vendime. Pasi theksoi se pjesëmarrja e grave në biznese është në numër të vogël, ajo shtoi gjithashtu se gratë në vitet e fundit kanë qenë të kufizuara në marrjen e vendimeve për pronat.

 

Sipas zonjës Shehu, kësaj çështjeje duhet kushtuar kujdes në të gjitha nivelet, sikur edhe të drejtës së vendimarrjes së grave për pronën dhe barazisë në këtë fushë.

 

Agron Beka, drejtor ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Banimi Social dhe të Drejtat Pronësore në Kosovë”, trajtoi mes të tjerash çështjen e tatimit në pronë. Ai tha se pagesat e tatimit në pronë bëhen me rregull, por duhet ende përmirësim në këtë fushë, pasi një pjesë e qytetarëve të Republikës së Kosovës nuk e respektojnë kohën dhe se me pagesa nuk janë siç duhet.

 

Profesori Zejnullah Gruda elabori një varg çështjesh në të cilat ndëlidhen fusha e legjislacionit dhe problemet e ndryshme që kanë të bëjnë me pronën.

 

Në konferencë foli edhe Shkumbin Asllani nga Forumi “Alpbach Kosova”. Ai tha ndër të tjera se sektori i pronës në Kosovë nuk është në gjendje të mirë dhe njëra ndër arsyet është se ka mungesë të trajnimeve për sigurim të pronës.

 

“Mungesa e ligjeve, informimi i qytetarëe mbi sigurimin e pronës si dhe përcaktimi i llojeve të pronave janë të pranishme edhe në ditët e sotme”, theksoi mes tjerash z.Asllani. Ai përmendi edhe procesin e trashëgimisë, duke e konsideruar tejet thelbësor, meqenëse ka rol kyç në pasurinë e individit. Sipas tij, në Kosovë ka shumë institucioni që merren me sigurimin e pronave por që nuk koordinohen siç duhen.

 

 

Në konferencë morën pjesë edhe folës të tjerë, si dhe u zhvilluan diskutime me interes rreth temës.