Drin Grazhdani, nga UBT në Leiden University
21/08/2015Drin Grazhdani, pas përfundimit të studimeve në Juridik në UBT tani i vazhdon studimet në Leiden University, në Holandë, në universitetin më të vjetër në këtë vend, të themeluar më 1575.
Në një intervistë për “UBT News”, Grazhdani thotë se angazhimi i tij do të ishte i pavlerë pa përkrahjen e UBT-së.
UBT News: Ju keni përfunduar studimet në UBT. Ndonjë përshtypje?
Drin Grazhdani: Kujtimet e mia në UBT si student lidhen me afërsinë e madhe me profesorët dhe stafin e UBT-së. Përkrahja e tyre nuk mund të zëvendësohet. Ata janë arsyeja e suksesit tim dhe eksperiencës time të mirë në UBT.
UBT News: Keni qenë student i dalluar në UBT, sa ju ka ndihmuar kjo në zhvillimin e mëtutjeshëm?
Drin Grazhdani: Studimet e mia në UBT më dhuruan dijen dhe eksperiencën e duhur që unë të jem i gatshëm të vazhdoj studimet në një ndër universitetet më të mira në botë. Besoj se UBT-ja që nga formimi është zhvilluar në hapa tepër të shpejtë, duke bërë që unë dhe shumë studentë të tjerë të pranohemi në universitetet më të mira në botë.
UBT News: Në çfarë mënyre ua ka hapur dyert UBT-ja?
Drin Grazhdani: UBT-ja më ka ndihmuar në të gjitha aspektet. Së pari më ka formuar si student që të jem i gatshëm për tregun e punës, për vazhdimin e studimeve, dhe për ballafaqimet në jetë që ne si studentë dhe individë mund t’i kemi.
UBT News: A keni hasur në ndonjë vështirësi gjatë kohës sa ishit student?
Drin Grazhdani: Vështirësitë kanë qenë të ndryshme, duke marrë parasysh synimet e mia, por stafi i UBT-së dhe profesorët ishin ata të cilët më shtynë përpara drejt kalimit të këtyre sfidave dhe vështirësive.
UBT News: Jeni pranuar në Leiden University, në Holandë, si e përshkruani atë moment?
Drin Grazhdani: Pranimi im në Leiden University ishte një ndër momentet më të mira dhe të lumtura në jetën time. Ëndrra ime ishte që të studioj në një ndër universitet më të mira në botë. Por ajo që më bëri edhe më të lumtur është pranimi në program të “avancuar” që ka dallim nga magjistraturat e rregullta që Universiteti i Leidenit ofron, duke më bërë studentin më të ri në moshë të pranuar në këtë drejtim. Në Programin Master i Avancuar në të Drejtën ndërkombëtare civile dhe komerciale pranohen vetëm studentë apo individë të cilët kanë eksperiencë të madhe në fushën e drejtësisë. Sakrificat e mia dhe puna e madhe më bëri që ëndrrën time ta arrij në këtë moshë kaq të re. Po ashtu jam shumë krenar që studioj në një universitet ku Albert Einstein ka dhënë mësim.
UBT News: A mendoni se vetëm falë angazhimit tuaj keni ardhur këtu ku jeni apo është dhe fakulteti?
Drin Grazhdani: Angazhimi im do të ishte i pavlerë pa përkrahjen e UBT-së. Fakulteti është në gjendje t’i dhurojë të gjitha vetëm e vetëm që ëndrrat e studentëve të bëhen realitet. Unë besoj se nuk jam i vetmi që kam pasur këtë eksperiencë duke marrë parasysh se ka edhe studentë të tjerë të cilët kanë kaluar në të njëjtën rrugë.
UBT News: Sipas Drinit, cilat komponenta e bëjnë një student të suksesshëm?
Drin Grazhdani: Unë besoj qe janë shumë tipare të cilat e bëjnë një student të dalluar dhe të suksesshëm. Disiplina, puna e madhe, sakrificat, vizioni i duhur, mosdëshpërimi nga dështimet e mundshme e bëjnë një student dhe individ të jetë i suksesshëm.
UBT News: Porosia juaj për studentët e UBT-së?
Drin Grazhdani: Porosia ime për studentët e UBT-së është që t’i ndjekin ëndrrat e tyre pa marrë parasysh sfidat të cilat mund të vijnë në rrugën drejt suksesit. UBT ofron edukim universitar tepër profesional, por nëse nuk angazhohemi atëherë askush nuk mund ta bëjë atë për ne. Besoj se edukimi është çelësi ynë drejt një të ardhmeje më të mirë. Sidoqoftë unë jam i gatshëm t’i këshilloj dhe të ndihmoj çdo student të UBT-së, prandaj shpresoj që studentët të mos hezitojnë të më kontaktojnë.