Edhe qindra mijëra euro mundësi bursash për studentët e UBT-së

06/07/2015

6 qershor. – Studentëve të UBT-së u shtohet edhe një mundësi e re, krahas shumë mundësive për bursa e moblitetete në institucionet më prestigjioze akademike botërore.

 

Së fundi, është konfirmuar se, në kuadër të Programit “Erasmus+ Global Mobility and Knowledge Alliances”, studentët e UBT-së mund të përfitojnë bursa në universitetet e Norvegjisë, në vlerë prej qindra mijëra euro.

Programi “Erasmus+ Global Mobility and Knowledge Alliances” ofron mobilitetin e stafit dhe të studentëve mes UBT-së dhe universiteteve nga Norvegjia, një mundësi unike që ofrohet bazuar në marrëveshjet e bashkëpunimit ndërkombëtar, fushë në të cilën UBT është prijatare në vend dhe në rajon, duke krijuar mundësi unike për studentët e tij.

 

Ky program është vazhdimësi e programit “Erasmus Mundus” të BE-së, që ka për qëllim shkëmbimin e njohurive dhe përvojave mes studentëve dhe stafit të institucioneve akademike. UBT në vazhdimësi ka qenë pjesë e këtyre iniciativave evropiane dhe deri tash një numër i madh i studentëve dhe stafit akademik ka përfituar nga eksperiencat akademike më pozitive.

Kjo ka ndikuar që stafi dhe studentët e UBT-së të jenë të krahasueshëm me kolegët e tyre në universitetet partnere evropiane, që i ka bërë ata të dallueshëm dhe u ka mundësuar të jenë shumë të kërkuar në tregun e punës në Kosovë.

 

Po në kuadër të këtij programi, UBT pret që shumë shpejt për studentët e tij të sigurojë bursa për mundësi vazhdimi të studimeve edhe në universitetet partnere në shtete të tjera.

Përveç kësaj, një nga universitetet partnere të UBT-së, Universiteti “Gjøvik” në Norvegji ka paralajmëruar vazhdimin e bashkëpunimit edhe në projektin AEP (Programi për Shkëmbime Akademike), duke konfirmuar se bashkëpunimi paraprak me UBT-në ka qenë frytdhënës dhe i dobishëm për të dy institucionet akademike.

 

Përmes këtyre shkëmbimeve akademike, UBT mëton të harmonizojë hapat dhe të gjenerojë dije të reja e të ofrojë mundësi të reja dhe unike për studentët dhe stafin.