Në UBT u zhvillua Ceremonia e Diplomimit 2015
04/07/2015Në UBT u zhvillua Ceremonia e Diplomimit 2015
Në një ceremoni madhështore, zhvilluar në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, UBT shënoi edhe një sukses të tijin, ngjarjen më madhështore për për mbi 470 studentë të nivelit bachelor dhe master – Ceremoninë e diplomimi 2015.
Studentët e diplomuar janë nga departamentet: Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, Sistemet e Informacionit, Juridik, Shkenca Kompjuterike dhe Inxhinieri dhe Mekatronikë.
Përveç prindërve e familjarëve të shumtë, ceremoninë e diplomimit në UBT e nderuan me pjesëmarrjen e tyre zëvendësministri i MTI, z.Avni Kastrati, zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi, profesori nga Vjena, Dr. Engelbert Selenko, Prof. Jozef Bushati nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ish-Ambasadori Shqipërisë në Kosovë, Prof.Dr Islam Lauka e shumë zyrtarë të tjerë, pjesë e institucioneve shtetërore e akademike të Republikës së Kosovës.
Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi, duke folur në ceremoni theksoi:
Jemi shumë të nderuar që jeni pjesë e kësaj ngjarjeje shumë të rëndësishme, e cila sigurisht është njëra prej elementeve më të veçanta në jetën e absolventëve tanë.
Kjo ceremoni është rezultat që del nga një përkushtim i juaji disavjecar për të studiuar dhe për të ndërtuar një dije dhe një përsonalitet nga njërën nga profesionet e zgjedhurara nga ju, me qëllim të arritjes të një cilësie sa më të lartë jetësore për ju dhe për tërë shoqërin tonë.
Ju e dini se nevoja për një lider është e pranishme kudo në botë e po ashtu edhe këtu në Kosovë. UBT mundësoi të zhvilloni një përsonalitet, të tillë që të jeni shumë të përgatitur profesionalisht, të jeni të përkushtuar në punë, të keni shkallë të lartë kreativiteti dhe inovacioni, të ndërtoni partneritete me të tjerët, ta ndihmoni veten dhe shoqërinë.
Puna e UBT-së bazohet në fakte dhe në rezultate. Ka një aftësi të lartë kulturore dhe interdisiplinare, por ka edhe një komunikim modern bazuar në vlerat më të larta. Studimet në UBT kanë pikërisht këtë qëllim, ofrimin e veglave dhe kushteve për individë, në këtë rast studentit tonë, për të marrë vendime racionale dhe që i garantojnë atij sukses dhe rezultate, bazuar në vlerat më të larta ndërkombëtare.
Detyrë kryesore e jona është t’ia ofrojmë studentit tonë të gjitha kushtet dhe praktikat më të mira në shkencën e Menaxhimit, Biznesit, Ekonomisë, në ekselencë biznesore, në teknologjitë më moderne, mekatronikë, robotikë, programim, rrjete, telekomunikacion, në dizajn, në drejtësi etj. Kjo është mundësuar nga një planprogram modern që UBT ka zhvilluar me vite, falë një bashkëpunimi të madh ndërkombëtar, planprograme që janë konfrom trendeve dhe zhvillimeve të fundit, njëkohësisht dhe në bazë të kërkesave që dalin nga tregu i punës, në bazë të nevojave që ka Kosova për profesionistë. Së dyti, UBT ka angazhuar një staf akademik me eksepriencë të lartë, me reputacion ndërkombëtar. Ky është viti i 14-të i punës dhe është gjenerata e 12-të që kur ne kemi filluar punën me stundentë dhe studime. Ne kemi filluar me 28 studentë dhe sot kemi brenda vitit mbi 2500 studentë dhe prej atëherë dhe tani UBT vazhdon të ruajë pozitën e më të mirit në edukim, zhvillim, lidership, bursa, me përkrahje në punësim e shumë të tjera.
Ne mburremi me ju. Kemi pasur fatin që ju kemi sot këtu. Me angazhimin e juaj, ju ia keni dalë të thyeni bllokadën dhe pengesat e shumta, duke u shndërruar në ambasadorë të vendit tonë, duke bindur se në Kosovë ka studentë të mirë.
UBT nuk është diplomë, është sukses, është prestigj, është krenari… Kjo është si rezultat i anagazhimit tuaj dhe ne do të vazhdojmë që këto suksese t’i bartim edhe në gjeneratat e tjera, tha ndër të tjera Rektori Hajrizi.
Zëvendësministri i MTI, z.Avni Kastrati, duke iu drejtuar studentëve theksoi: “Shpreh kënaqësinë e veçantë që gjendem këtu, në momentin kur këta studentë mbyllin një kapitull dhe fillojnë një tjetër. Më kujtohet, para 40 vitesh, kur kam përfunduar studimet, në çfarë kushtesh kemi diplomuar. Me të vërtetë kam emocione kur e shoh se UBT po zhvillohet, por asnjëherë s’kemi menduar që mund të kemi kaq shumë studentë. Sot është një ditë kur ju festoni sukseset tuaja. Studimet i keni kryer, por para jush është jeta. Jeta është e vështirë, por organizohuni që të jetoni mirë”.
“Është një ditë e përfundimit të një arritjeje tuaj, është një ndjenjë, por kjo ndjenjë ka një afat. Nga nesër është një ndjenjë tjetër, ndjenjë e përgjegjësisë. Secili nga ne ka një barrë për të ndryshuar vendin ku është, pastaj krejt botën. Në institucionin nga i cili unë vij, jemi të përkushtuar sa më shumë për t’u afruar me Europën”, tha ndërkaq zëvendësministri i Integrimeve Evropiane, Ramadan Ilazi.
Në vazhdim të ceremonisë foli profesori nga Vjena, Dr. Engelbert Selenko, i cili ka një angazhim të gjatë në UBT dhe është shumë i familjarizuar me studentët.
“Unë po vij nga Viena dhe ndihem shumë i nderuar që e kam ndihmuar UBT. Unë erdha herën e parë, me gjithë optimizmin që kishte z. Hajrizi për të bërë diçka në Kosovë. Shteti juaj dhe optimizmi ka përparuar shumë këto 15 vite. Dikur edhe unë isha në vendin tuaj, po e pyesja veten se ku do të jetë vendi im në shoqëri. Më dukej se ishte një sistem i mbyllur. Si sot më kujtohen ndjenjat që kisha. Më kujtohet mësimi i parë që kisha në Universitetin e Vjenës në ekonomi. Profesori foli për një orë, shikoi audiencën dhe tha: Më duket se askush nuk ka kuptuar asgjë”. Pastaj, për ta thjeshtësuar, ai na tha: “Një menaxher i mirë nuk duhet t’i dijë të gjitha gjërat, por ai duhet të dijë të zgjedhë atë të duhurën për punën e duhur”, theksoi Profesor Selenko.
Ceremoninë e nderoi me një fjalë edhe Dr. Jozef Bushati nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”
“Ju uroj nga stafi i universitetit “Luigj Gurakuqi”. UBT në këto 14 vite është orientuar nga modelet e përparuara, ju të gjithë së bashku keni vënë të gjithë energjitë tuaja drejt dijes dhe zhvillimit. Ju jeni autorë dhe përjetues të arritjeve të mëdha. Ky vit akademik ishtë një vit i gjithëpërfshirjes së personelit administrativ në të gjitha nivelet për rritjen e cilësisë në shërbim të studentëve. Studentët janë fuqia e ndryshimit”, u shpreh Dr.Bushati.
Në emër të Alumnit të UBT-së foli Leana Mahmuti, që ka kryer arkitekturën në UBT, ndërsa në emër të kolegëve të diplomuar sot falënderoi Armira Fetoshi.
Manifestimi është përcjellë me pika të zgjedhura muzikore, ndërsa madhështinë atij ia kanë shtuar mysafirët e shumtë, prindër të cilët kanë madhështuar ceremoninë e diplomimit.
Po kështu, gjatë kësaj ceremonie janë shpallur edhe studentët e dalluar të departamenteve, të cilët janë nderuar me certifikata.
Në vijim, lista e studentëve të dalluar:
Armira Fetoshi, Teuta Dervishi, Kaltrina Mehmeti, Florian Piraj, Zana Govori, Driton Begisholli, Alma Feka, Dodona Blakaj, Dina Demiri, Bardha Meta, Fistina Bllaca, Kaltrina Rexhepaj, Sokol Deçani, Fjolla Abazi, Zana Rrmoku, Armend Begisholli, Blerina Berisha, Egzona Morina-Thaqi, Ardi Hyseni, Learta Stavileci, Arta Abdyli, Vesa Shasivari, Gentrit Krasniqi, Donjeta Duraj, Marigona Xhemaili, Albulena Hyseni, Donika Xhakli, Magbule Rizani, Luiza Hoxha, Ruhada Emini, Doruntina Mejzini, Besart Jashari, Festina Avdija, Drenushë Thaçi, Zana Prelvukaj, Donika Ismaili, Fiton Zogaj, Diana Sahiti, Leoranda Arapi, Majlindë Jahiu, Liridon Vrapca, Rinor Svarça, Trinë Ismajli, Anita Nika, Etlevë Arifi, Egzona Jonuzi, Gentian Zogaj, Nora Lika.