Albina Shatrolli: Transformimi im prej pasigurisë në dije dhe në perspektivë

01/07/2015

Përzgjedhja ime që të filloj studimet në UBT ka qenë e gjitha e rastësishme dhe jo shumë e planifikuar. Si gjimnaziste gjithmonë kam qenë e mendimit të studioj Gjuhën Angleze dhe asnjëherë nuk kam menduar për ndonjë opsion tjetër. Mirëpo, në vendin tonë dëshirat dhe synimet tona për të ardhmen realizohen në forma të ndryshme, shpeshherë jo edhe të planifikuara. Shumë herë janë faktorët dhe rrethanat e jashtme ato që përcaktojnë rrugën tonë drejt së ardhmes dhe jo dëshira dhe vullneti jonë.

 

Duke parë shumë padrejtësi, manipulime të shumta që bëheshin në rezultatet tona në Universitetin e Prishtinës, unë vendosa të heq dorë nga mendimi dhe dëshira që kam pasur më herët. Pas analizimit të ofertave në Kosovë, vendosa të vazhdoj studimet aty ku njohuritë e mia do të kenë vlerë, aty ku fjala ime do të ketë peshë, aty ku zëri im me të vërtetë dëgjohet dhe aty ku vullneti dhe dëshirat e mia përkthehen në punë dhe sukses! U binda shumë herët se më mirë është të krijosh qëllim dhe objektiva të reja dhe me perspektivë, sesa të jetosh një dëshirë që nuk do të realizohet asnjëherë sipas pritjeve tua.

Kur fillova studimet në UBT, në drejtimin Sistemet e Informacionit(SI), mendimi dhe dëshira ime e vjetër mbeti vetëm një dëshirë dhe asgjë më shumë. Thjesht, në UBT e gjeta veten edhe pse fillova studimet pa ndonjë motiv të lartë apo ndonjë dëshirë të specifikuar.

 

Mirëpo, afërsia e profesorëve që tregonin me ne që nga fillimi, puna e tyre në UBT që nuk është vetëm ligjërimi dhe ofrimi i njohurive të reja tek ne por edhe interesimi i tyre për qëllimet, ambiciet dhe pritshmëritë tona, ngjallën interesim, motivacion dhe dëshirë për të vendosur për të vazhduar studimet në UBT me synime dhe ambicie të reja dhe njëherit edhe më të fuqishme.

 

Po ashtu edhe pozitiviteti që profesorët reflektonin tek ne, përpjekjet e tyre që t’i bëjnë lëndët sa më atraktive dhe të kuptueshme për ne, duke ofruar materiale të shumta, libra dhe duke u munduar që të na mbajnë të informuar për gjithçka që ndodh në fushën e Teknologjisë Informative, thjesht më ka bërë që të ndihem e privilegjuar që kam pasur fatin të studioj në një institucion prestigjioz dhe të njohur ndërkombëtarisht për cilësinë e studimeve që ofron.

Të gjitha lëndët sa i përket këtyre dy viteve në UBT kanë qenë atraktive dhe mjaft produktive sa i përket Sistemeve të Informacionit dhe orientimit tonë në këtë drejtim. Nëse do të veçoja disa prej tyre, atëherë do të zgjedhja: Produktivitet dhe IT, Mikro dhe Makroekonomi, Menaxhment Financiar, Menaxhimi i Operacioneve, Menaxhimi i Sistemeve të Informacionit, Metodat e Hulumtimit, Rrjetet Kompjuterike dhe Sistemet e Distribuimit, etj.

 

Prej të gjitha përparësive që UBT ofron, ajo që edhe unë vetë e kam parë si të tillë njëherit shumë të rëndësishme për studentët Bachellor është programi i studimeve, i cili pothuajse në të gjitha lëndët përfshin projekte, punime seminarike dhe hulumtuese. Punimet seminarike janë një ndihmesë tejet e madhe për çdo student, ku për çdo punim seminarik studenti, përveç literaturës, ndeshet edhe me pjesën praktike, me atë se çfarë në realitet ndodh në treg.

 

Në këtë mënyrë studenti e krijon një figurë apo pasqyrë edhe për tregun, para se të takohet me të. Dhe kjo në një mënyrë ndikon mjaft shumë që studentët të fillojnë të përgatiten profesionalisht qysh në studimet e tyre Bachellor. Përveç kësaj punimet seminarike, iu ndihmojnë shumë studentëve që të jenë më të përgatitur dhe të fitojnë njohuri paraprake më se të nevojshme rreth temës së diplomës, dhe pse jo, të zgjerojnë edhe ndonjë nga punimet seminarike në Bachellor dhe ta bëjnë temë diplome.

Me zhvillimin e hovshëm të teknologjisë, Sistemet e Informacionit janë bërë më se të nevojshme në vendin tonë. Në kuadër të programit studimor, kemi mjaft lëndë që kanë ofruar punime hulumtuese dhe raste të studimit. Për shembull, në Metodat e Hulumtimit si temë kërkimore kemi zgjedhur përdorimin e SI në vendin tonë më konkretisht se sa përdoren SI nga bizneset/organizatat tona?

 

Pas mbledhjes së të dhënave primare dhe atyre sekondare, ne kemi ardhur në përfundim se SI, edhe pse gjejnë përdorim nga një pjesë e bizneseve tona, një pjesë tjetër që përfaqëson shumicën e bizneseve nuk përdorin mjaftueshëm MIS në menaxhimin dhe arritjen e objektivave biznesore.

Rezultatet tregojnë se niveli i shkollimit dhe njohuritë e punëtorëve rreth pajisjeve të reja teknologjike dhe programeve software fatkeqësisht janë të ulëta dhe kjo ndikon negativisht në përdorimin e Menaxhimit te Sistemeve të Informacionit (MIS).

Kështu kam arritur të kuptoj se SI janë m se të nevojshme për bizneset tona. Gjithashtu kam kuptuar se bizneset tona janë në kërkim të vazhdueshëm për metoda dhe sisteme të avancuara për lehtësimin e punës së tyre, duke u nisur nga makineritë, programet software dhe pajisjet e tjera të nevojshme tekniko-teknologjike. Për gjetjen e këtyre metodave dhe funksionimin e tyre faktor kyç janë burimet njerëzore, pra personat që kanë njohuri adekuate rreth Menaxhimit të Sistemeve të Informacionit.

Përparësi tjetër e SI është se gjejnë përdorim pothuajse në çdo biznes/organizatë, thënë më mirë në çdo industri si prodhuese apo shërbyese. Përdorimi efikas dhe efektiv i MIS krijon një avantazh konkurrues për çdo biznes/organizatë, duke e zvogëluar koston e operimit, duke reduktuar stafin, krijon fleksibilitet të organizatës, përgjysmon operacionet e mëparshme të nevojshme në realizimin e objektivave, krijon qasje më të shpejtë në të dhënat e biznesit etj.

 

Në fund, si porosi për gjithë ata që ende nuk kanë filluar studimet Bachellor, do t’ju propozoja që të orientohen në drejtime dhe fusha në të cilat vendi ynë ka nevojë të zhvillohet, në mënyrë që suksesi dhe produktiviteti të jetë reciprok. Sepse, pa kontributin tonë shteti asnjëherë nuk do të arrijë të zhvillohet sa duhet, mirëpo edhe pa zhvillimin e shtetit nuk do të ketë arsimim kualitativ për gjeneratat e ardhshme. Për të gjithë ata që mendojnë kështu, UBT ju ofron të gjitha mundësitë e realizimit të synimeve dhe pritshmërive të tyre. Prandaj, e ardhmja juaj është në duart e juaja, ndërtojeni me cilësi dhe qëndrueshmëri, ndërtojeni atë në UBT. Në UBT ofrohen pothuajse të gjitha mundësitë për t’u transformuar nga një maturant entuziast me ambicie të mëdha në një profesionist të shquar dhe në një akademik të mirëfilltë dhe bashkëkohor. UBT është e të gjithëve, sepse të gjithë në UBT ndihen si në shtëpinë e tyre.

 

(Albina Shatrolli është studente e vitit të dytë, Drejtimi Sistemet e Informacionit në UBT)