UBT vazhdon bashkëpunimin me Universitetin e Varshavës
16/06/2015Një delegacion nga Universiteti i Varshavës në Poloni qëndroi më 8 dhe 9 qershor për vizitë në UBT.
Drejtues të UBT-së dhe të Universitetit të Varshavës diskutuan gjatë këtyre dy ditëve për një varg çështjesh me interes për të dy institucionet, të cilat kanë një bashkëpunim në shumë fusha tash disa vite me radhë.
Bashkëpunimi midis UBT-së dhe Universitetit të Varshavës është zhvilluar fillimisht nëpërmjet projektit “Erasmus Mundus”, për shkëmbim të studentëve dhe stafit, si dhe përmes vizitave të dyanshme. Dy vite më parë, ndërkaq, të dy institucionet nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi, përmes së cilës, për herë të parë në Kosovë, Universiteti i Varshavës ofron programe për studime bachelor dhe master në fushën e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Universiteti i Varshavës është themeluar në vitin 1816. Është ndër top universitetet e kategorisë botërore dhe universiteti numër një në Poloni.
UBT dhe Universiteti i Varshavës do të vazhdojnë edhe më tej bashkëpunimin, duke e zgjeruar atë edhe në fusha të tjera.