Agnesa Belegu: Nga UBT në Gjovik në Norvegji e pastaj master në SHBA
09/06/2015“Qëllimet e mia janë të kthehem në Kosovë dhe të jap kontribut maksimal në zhvillimin e një industrie shumë të rëndësishme botërore, e sidomos angazhimin dhe motivimin e kuadrove që veçse i kemi”, thotë Agnesa, e cila do të studioj drejtimin Game Design
“Unë kisha pasion kompjuterët qysh nga mosha e vegjëlisë, kështu që përcaktimi për Shkenca Kompjuterike ishte bërë qysh atëherë. Kur erdhi koha të vendosja për universitet, përkundër faktit që dërgova dokumentet e u pranova në universitete të tjera, në fund u përcaktova për UBT-në. Parimisht për shkak të kurrikulumit më të fokusuar dhe më relevant për shkenca kompjuterike, me besimin që në këtë institucion do të merrja përgatitje më të mirë profesionale”, thotë Agnesa Belegu, e cila përfundoi studimet bachelor në Fakultetin për Shkenca Kompjuterike në UBT, me një sukses për lakmi.
Në një bisedë për “UBT Alumni”, ajo flet për përvojat e studimeve në UBT dhe një varg çështjesh të tjera.
Agnesa thotë se lëndët e preferuara, ku më duket përfitova më së shumti nga eksperienca e tyre ishin: Inxhinieri Softuerike, mbajtur nga profesor Fisnik Prekazi, Shkenca Kompjuterike I dhe II me profesor Fatos Maxhuni, Inxhinieri e Sistemeve me profesor Naim Preniqin, si dhe Sistemet Operative me profesor Selman Haxhijaha.
Nga 3 vjetët e studimeve në UBT, më duhet të veçoj periudhën e Soft-Lab internship, ku për 5 muaj studentët pjesëmarrës kemi marrë eksperiencë të pamatshme. Gjatë kësaj periudhe ne kemi qenë pjesë e zhvillimit të plotë të një softueri, eksperiencë e cila ka qenë shumë sprovuese dhe ka ndikuar pozitivisht në ngritjen e dijes dhe përvojës në profesionin tonë. Kjo periudhë është e paharrueshme për të gjithë studentët pjesëmarrës. I gjithë falënderimi i takon UBT-së e veçanërisht profesorit Fisnik Prekazi si udhëheqës i projektit, i cili me përvojën e tij na udhëzoi përgjatë këtyre muajve, shprehet më tej Belegu.
Ajo numëron edhe përfitimet ar nga programet e studimit në UBT: “Mund të them që përfitimet e mia nga UBT-ja ishin të shumta duke filluar nga kontakti i ngushtë me profesorët e fushës; Soft-Lab internship, ku përvoja e fituar më dha një shtytje të madhe drejt profesionit tim; e gjithashtu bursa e AEP-Programme e fituar në kuadër të suksesit të treguar, program ky i cili më mundësoi studimet gjatë një semestri në kolegjin universitar Gjovik në Norvegji. Të gjitha këto eksperienca ndikuan në zhvillimin tim profesional dhe personal, duke krijuar kontakte dhe dijeni të vlefshme për të ardhmen time si zhvilluese e softuerit”.
“Me bursën e AEP-Programme, me ç’rast kalova semestrin e pestë të studimeve në kolegjin universitar Gjovik në Norvegji, unë pata rast të studioja Game Design dhe Programming, dy lëndë në të cilat unë kisha ëndërr të aftësohesha profesionalisht në to. Padyshim, kontaktet e fituara gjatë kohës atje janë kyçe për të ardhmen time profesionale, e pa këtë mundësi nga UBT nuk do të ishte e mundshme kjo eksperiencë. Soft-Lab internship për të cilin diskutova edhe më herët ishte gjithashtu një nga përvojat e mundësuara nga angazhimi im në UBT. Vendimi të studioja në këtë kolegj universitar ishte definitivisht vendimi më i mirë që mund të merrja për ardhmërinë time’’, shton në vijim Belegu.
E pyetur si i ka arritur rezultatet shumë të mira gjatë studimeve, ajo përgjigjet: “Mund të them se ishte falë pasionit për profesionin e përcaktuar, lëndëve dhe shumicës së profesorëve të cilët me angazhimin e tyre të palodhshëm më bënë të dua të mësoj më shumë, e sidomos nga gabimet që si studente pa përvojë ishin të pashmangshme. Kyçe në këtë sukses ishte edhe rrethi shoqëror, e jo pa qëllim thonë: “Me kënd rri, ashtu bëhesh”. Përgjatë studimeve kam qenë e rrethuar me njerëz të zellshëm e të punës, të dedikuar dhe të besueshëm, e duke motivuar njëri-tjetrin kemi arritur suksese të mëdha. Gjithashtu edhe familja me përkrahjen e tyre të vazhdueshme në studimet dhe vendimet e mia profesionale ka ndikuar në shtimin e motivimit për të ndjekur suksesin mbi të gjitha. Forca më e madhe vjen nga brendësia, duhet të kemi guxim të mos e rrethojmë vetën me barriera të brendshme dhe t’i kemi të qarta synimet tona. Këto, sipas meje, janë çelësi i suksesit për çdo njeri.
Agnesa aktualisht punon si zhvilluese e softuerëve në kompaninë ePayTech, kompani e specializuar në fushën e teknologjisë informative e cila ofron produkte dhe shërbime softuerike për klientët në Kosovë dhe me gjerë. Kompania shquhet për përvojë të theksuar në këtë fushë duke qenë prezente në treg me klientë të mëdhenj si administrata komunale, kompani publike, banka, institucione tjera financiare, korporata dhe biznese të mëdha e të mesme.
Produktet dhe shërbimet e kompanisë zhvillohen duke pasur si kritere kryesore kërkesat dhe dëshirat e klientëve. Rrjedhimisht kompania zhvillon produktet/shërbimet e saj në bashkëpunim dhe pajtim të plotë me klientët, me qëllim të përmbushjes së kërkesave sipas pritshmërisë së tyre.
Aktualisht është e angazhuar veçanërisht me projektin PRAKTIK në qytetin e Pejës. Ky projekt ka për qëllim aftësimin e kuadrove profesionale në fushën e IT-së – me fokusim në moshat mbi 15 vjeçare, e së voni edhe me kurse për të rinj të moshave 9-14 vjeçare.
Ajo gjithashtu planifikon të vazhdojë studimet e Masterit jashtë vendit, në fushën e Game Design. Lidhur me këtë shprehet: Pasi kam pasur qëllim të vazhdoj studimet e Masterit jashtë vendit, kam kërkuar bursa që ofrojnë mundësi të tilla. Kam aplikuar dhe jam kualifikuar për bursën e USAID TLP-SP Programme për studime të masterit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Drejtimi i përcaktuar është Game Design, e cila është degë e cila merret me studimin dhe zhvillimin e lojërave si koncept dhe produkt, nga pika e idesë deri në lansim të plotë të produktit. Qëllimet e mia janë të kthehem në Kosovë dhe të jap kontribut maksimal në zhvillimin e një industrie shumë të rëndësishme botërore, e sidomos angazhimin dhe motivimin e kuadrove që veçse i kemi.