Arkitekti Georgi Konstantinovski mbajti ligjëratë në UBT

02/06/2015

Arkitekti i mirënjohur nga Shkupi, Georgi Konstantinovski ishte mysafiri i radhës në UBT, me ligjëratën tematike “Modernizmi amerikan”, në të cilën u fokusua në përshkrimin detal të zhvillimit të objekteve nga fillimi i shekullit të kaluar e deri sot.

Arkitekti Konstantinovski është autor i një varg objektesh të rëndësishme. Ndër kryesore janë Arkivi i qytetit dhe Konvikti i studentëve në Shkup, Pallati i Mediave “Rilindja” në Prishtinë, si dhe projekte pjesëmarrëse në konkursin për Institutin Albanologjik dhe Stacionin e Autobusëve në Prishtinë etj. Ai ishte ligjërues në Universitetin e Prishtinës.

Ligjëratën tematike e hapi Dekani i Arkitekturës, Lulzim Beqiri, duke u shprehur i kënaqur me interesimin e studentëve për pjesëmarrje. Ai profesionin e arkitekturës e konsideron shumë të rëndësishëm duke qenë se është profesion ku shkëmbehen eksperiencat dhe gjërat më interesante që i kalon çdo person në jetë.

Arkitekti Georgi Konstantinovski para të pranishmëve i paraqiti disa prej punimeve të kolegëve të tij, që kanë lënë gjurmë në historinë amerikane të arkitekturës. Duke folur për disa prej arkitektëve më të njohur në Amerikë, për të parë përmes tyre se sa e përpunuar ishte kultura amerikane e asaj kohe, Georgi Konstantinovski shpalosi disa pamje të realizuara para 30-40 vitesh.

Ai gjithashtu foli për evoluimin nëpër periudha të ndryshme të stileve dhe arkitekturës së ndërtimit.

Arkitekti Konstantinovski foli për arkitektin Philip Johnson, i cili njihet si arkitekti më i pasur në Amerikë, i cili është i famshëm me shtëpinë e tij të qelqit. Shtëpia është e tëra e “fundosur” në gjelbërim. Johnson ka dy shtëpi karakteristike: Njëra është e tëra e qelqit, ndërsa tjetra është tërësisht e mbyllur. Kjo e mbyllura është për mysafirë ose më mirë të themi e vetë z. Johnson, sepse ai aty fle.

Ai shtoi se arkitektët e Amerikës për ndriçim i cili vinte nga muret përdornin edhe kulturën arabe. “Më kujtohet kur u ulëm të gjithë në dysheme, diskutuam dhe dhamë ide për këto projekte”, shtoi ai.

Të gjithë arkitektët më të njohur të asaj kohe, studimet i përfundonin nëpër Evropë, do të thotë të gjitha njohuritë ata i merrnin nga kultura të ndryshme perëndimore për të ardhur në Amerikë që t’i praktikojnë, tha z. Konstantinovski, duke shtuar se edhe interieri edhe eksterieri ishin shumë të bukura, u bazuan po ashtu në arkitekturën arabe.

“Edhe shkallët i projektonin sipas ngjyrave të diellit, të hapur, ku mund të depërtojë dielli më shumë. Me fjalë të tjera është një arkitekturë e pastër”, theksoi më tutje ai.

Z. Konstantinovski shpalosi edhe planin e konviktit të cilin ai e ka projektuar. Aty u panë muret që ishin të ndërtuara nga guri dhe të gjitha detajet që janë të ndërtuara nga guri. Shpesh nëpër pjesët e skajshme të objektit përdoreshin edhe skulptura.

Në këtë ligjëratë u shpalosën edhe të gjitha objektet më të rëndësishme të Amerikës, disa prej projekteve të të cilave arkitektët i kishin përgatitur edhe nga betoni. Z. Konstantinovski e konsideroi të rëndësishme se si në atë kohë kulmet e shtëpisë ishin të mbajtura me litar.

 

Arkitekti Konstantinovski në ligjëratën e tij përmendi edhe një varg objektesh me arkitekturë karakteristike, kryesisht në SHBA por edhe në vende të ndryshme, duke i quajtur shpirte artistësh arkitektët që kanë bërë projektimin e tyre.