Afrim Bajraktari: Njohuritë e fituara në UBT mund të aplikohen suksesshëm në biznes për të krijuar avantazh konkurrues

22/05/2015

Posa kam kuptuar se UBT ofron programin e studimit në Menaxhimin e Mekatronikës, kam kontaktuar me dekanin e këtij fakulteti, dhe nga prezantimi që më është bërë, nga relacioni i drejtimit me atë që isha duke e studiuar, nga informacionet që i hulumtova në internet për këtë drejtim si dhe nga fakti se UBT vlerësohej mirë nga disa shokë që kishin studiuar më herët, vendosa të regjistrohem në UBT në këtë drejtim, i cili më pëlqen jashtëzakonisht shumë”, thotë Bajraktari

 

UBT Alumni: Si keni vendosur të studioni në UBT?

Bajraktari: Unë kam studiuar edhe në Universitetin e Prishtinës, pastaj kam qenë edhe në Universitetin Teknik të Mynihut si dhe në IVY Tech në Muncie/Indiana në Amerikë. Duke u bazuar në këtë përvojë në disa universitete, mendoj se mund të jap një vlerësim më real dhe më praktik sa i përket krahasimit të cilësisë së studimit. Posa kam kuptuar se UBT ofron programin e studimit në Menaxhimin e Mekatronikës, kam kontaktuar me dekanin e këtij fakulteti, dhe nga prezantimi që më është bërë, nga relacioni i drejtimit me atë që isha duke e studiuar, nga informacionet që i hulumtova në internet për këtë drejtim si dhe nga fakti se UBT vlerësohej mirë nga disa shokë që kishin studiuar më herët, vendosa të regjistrohem në UBT në këtë drejtim, i cili më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Për më tepër kjo fushë e studimit në fakt nuk ofrohet nga ndonjë kolegj apo universitet tjetër, dhe ishte në fakt një lidhje atraktive në mes të menaxhmentit dhe teknologjisë, dhe të gjitha këto kanë ndikuar që unë të studioj në këtë fakultet dhe në UBT.

 

UBT Alumni: Cilat kanë qenë lëndët e juaja të preferuara?

Bajraktari: Pothuajse të gjitha lëndët nga Mekatronika. Do t’i veçoja: Inteligjencën Artificiale, Menaxhimi Strategjik dhe Ndërmarrësia, Menaxhimi i Inxhinierisë, Trendët në Teknologji, Menaxhimi i Sistemeve të Informacionit, Automatizimi i Prodhimeve, Kreativiteti dhe aftësia e të mësuarit.

 

UBT Alumni: A mund të ndani me ne ndonjë ngjarje të rëndësishme nga periudha e studimeve?

Bajraktari: Nuk do ta veçoja ndonjërën prej tyre pasi ka pas shumë ngjarje të rëndësishme, secila me karakteristika rëndësie të veçantë të cilat nuk mund të rangohen e të krahasohen në prioritete. Ka shumë ngjarje që janë ofruar nga UBT por edhe ngjarje simultane nga institucione të tjera.

 

UBT Alumni: Sa keni përfituar nga programet e studimit në UBT?

Bajraktari: Përfitimi që vlen të theksohet qëndron në faktin se shumë profesorë të cilët ligjërojnë në UBT vijnë nga universitete evropiane, kjo nënkupton se niveli i ligjërimit ka qenë pothuajse ekuivalent me nivelin në ato institucione prej nga vijnë. Gjithashtu mundësia e konsultimeve dhe interaksioni ligjërues-student është në nivel të kënaqshëm. Pjesa më e madhe e temave në ligjërata ka qenë bashkëkohore, dhe kjo natyrisht ka pasur efekt pozitiv motivues duke ndikuar kështu edhe në nivelin e përfitimit të njohurive akademike nga programi përkatës. Përgjithësisht mendoj se në UBT ofrohet mundësia shumë e mirë për ata studentë të interesuar për dije. Gjithsesi, duhet punuar vazhdimisht në ngritjen e kualitetit, e padyshim kjo vlen për të gjitha institucionet.

 

UBT Alumni: A keni përfituar nga mundësitë që ofron UBT për udhëtime studimore, studime jashtë vendit përmes UBT-së, internship apo forma të tjera të angazhimit?

Bajraktari: Jo, pasi nuk kam aplikuar në ndonjë program, por, kam qenë pjesëmarrës në disa programe të ndryshme ndërkombëtare që ofrohen për studentë. Programe të tilla ofrohen për studentë të të gjitha institucioneve bartëse të edukimit të lartë universitar të akredituara private dhe publike, varësisht nga kualiteti i aplikimit dhe pjesëmarrja në aktivitete ekstrakurrikulare para aplikimit. Mundësi të tilla ofrohen shumë, dhe do t’i inkurajoja studentët të aplikojnë në këto programe në nivel nacional dhe internacional. Përvoja nga to është mjaftë e rëndësishme për karrierë akademike dhe profesionale.

 

UBT Alumni: Ju keni treguar rezultate shumë të mira gjatë studimeve. Si e keni arritur këtë?

Bajraktari: Ka shumë faktorë që ndikojnë në rezultate shumë të mira, prej tyre më të rëndësishme mendoj se janë: angazhimi, persistenca, vijimi i rregullt i ligjëratave dhe aktiviteteve relevante që organizohen nga institucioni, shfrytëzimi i informacionit bashkëkohor nga burime kredibile në internet, dhe njëri ndër faktorët më të rëndësishëm është që ta duash shumë dhe ta kesh pasion drejtimin apo fushës e zgjedhur për studim.

UBT Alumni: A jeni duke punuar pas studimeve dhe ku?

Bajraktari: Po, jam duke punuar tani. Kam punuar edhe gjatë kohës sa kam qenë duke studiuar. Dhe do t’i rekomandoja studentët aktualë që krahas studimeve të kryejnë edhe ndonjë praktikë relevante me llojin e studimit që e zgjedhin ose ndonjë punë me orar të shkurtër, pasi kjo do t’i ndihmoj ta konkretizojnë qasjen teorike. Pra, është shumë me rëndësi puna apo praktika më qenë në linjë të njëjtë më studimet.

 

UBT Alumni: Çfarë pune bëni? Ju lutemi të na jepni sa më shumë detaje për dërmarrjen/institucionin ku punoni, pozicionin tuaj, rezultatet dhe çdo detaj që mund të jetë me interes.

Bajraktari: Unë e kam themeluar një biznes individual pasi kam ndjekur disa trajnime për ndërmarrësi dhe aspektet relevante biznesore. Kam përfituar mbështetje financiare nga BiD Network, në fakt pasi kam prezantuar planin e biznesit dhe strategjinë konceptuale biznesore në një garë prej shumë biznes planeve të paraqitura, jam shpërblyer me vendin e parë. Ky çmim ka qenë mjaft motivues dhe mbështetje e madhe.

 Nga i njëjti institucion kam përfituar edhe një udhëtim në Afrikë për të marrë pjesë në një ngjarje “Growing SMEs East Africa conference”, gjatë së cilës kemi prezantuar para investitorëve biznes planet tona pasi paraprakisht jemi trajnuar nga ekspertë. Kjo ka qenë një ngjarje mjaftë e rëndësishme, biznes planin tim e kanë vlerësuar shumë pozitivisht, por risku kyç që i pengonte pothuajse të gjithë investitorët ishte jostabiliteti politik në Kosovë dhe çështja e sigurisë.

Pastaj kam përfituar grant nga USAID në kuadër të programit për mbështetjen e NVM-ve në Kosovë. Kam marrë një çmim nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë “Best business idea 2012”.

E kam fituar një bursë për të studiuar në Amerikë nga Këshilli Amerikan, programi KITE si mbështetje për biznesin tim. Njohuritë nga ky program më kanë ndihmuar shumë me njohuri të reja në fushën e strategjisë së marketingut, po ashtu, kam analizuar modele biznesore, produkte, shërbime dhe qasje unike biznesore të firmave atje, pjesë nga të cilat i kam implementuar dhe planifikojë t’i adoptoj në biznesin tim në planin afatshkurtër dhe afatmesëm.

Trajnimet ekstrakurrikulare që lidhen ekskluzivisht me ndërmarrësin më kanë ndihmuar shumë dhe do t’i rekomandoja edhe për studentët e tjerë, por edhe lëndët në UBT janë mjaft të rëndësishme dhe njohuritë e përfituara nga to mund të aplikohen suksesshëm në biznes për të krijuar avantazh konkurrues. Në këtë kontekst, vlen të përmendet Menaxhimi Strategjik dhe Ndërmarrësia, dhe do ta rekomandoja për të gjithë studentët, por, edhe lëndët e tjera janë të rëndësishme, sa më shumë që lidhet një subjekt me llojin e biznesit, aq më i rëndësishëm bëhet.

Aktualisht jam i koncentruar në fushën e Teknologjisë Informative, por nga fillimi e deri më tani kam ofruar produkte e shërbime të ndryshme. Unë jam i hapur për bashkëpunim me studentë, profesorë dhe i gatshëm për bashkëpunim me secilin që është i motivuar. Do të mirëprisja ndonjë bashkëpunim nga studentët e interesuar, por edhe jam i gatshëm t’i ndihmoj me informacione të rëndësishme ata që dëshirojnë të themelojnë kompanitë e tyre, nga përvoja ime dhe nga njohuritë e fituara deri më tani. UBT ka filluar t’i japë rëndësi të madhe ndërmarrësisë, këtë e vlerësoj shumë, dhe mendoj se nga këtu do të dalin ndërmarrës të suksesshëm. Do ta rekomandoja një revistë që të botohet nga UBT me storie suksesi, këshilla profesionale të përmbledhura dhe artikuj relevant motivues e informues.

 

UBT Alumni: A jeni duke vazhduar studimet?

Bajraktari: Po, aktualisht jam duke i vijuar studimet master, në UBT, në Fakultetin e Menaxhimit të Mekatronikës. Planifikoj që menjëherë pas përfundimit të masterit, të vazhdoj studimet e doktoratës në një universitet prestigjioz në Gjermani.