Albert Mustafa: Vizioni i qartë dhe puna sistematike – çelës i suksesit
26/05/2015Dashuria për arkitekturën e bëri Albert Mustafën të lidhet fort më UBT-në. Në kohën kur e përfundoi shkollën e mesme, ky drejtim nuk ishte ende i akredituar në UBT. Ndaj ai u regjistrua në këtë drejtim në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku edhe kishte arritur rezultate të mira.
“Pas një viti, u akreditua dega e Arkitekturës në UBT dhe unë, duke e ditur cilësinë e studimeve në UBT, vendosa të kthehem dhe të vazhdoj studimet aty, edhe pse duhej të filloja prej vitit të parë”, thotë Alberti, duke theksuar se në Tetovë e kishte fituar kushtin për të vazhduar studimet në vitin e dytë, por prapëseprapë vendosi të vinte në UBT.
E këtu, lëndët e tij të preferuara ishin lëndët profesionale, si: Projektim, Konstruksione Arkitektonikë, Gjeometri, Studio 1,2,3. , Historia dhe Teoria e Arkitekturës, Planifikimi urban e të tjera.
Ai veçon si një nga ngjarjet më të rëndësishme gjatë studimeve të tij Konferencën për biznes, teknologji dhe inovacione, e cila u mbajt në vitin e parë të studimeve të tij, 2011-2012.
Alberti thotë se ka përfituar mjaft nga programet e studimit në UBT, por thekson se kësaj i ka ndihmuar në masë të madhe angazhimi individual dhe ndjekja e lëndëve me përpikëri.
Gjithashtu, ai thekson se ka qenë pjesëmarrës në dy udhëtime profesionale që UBT ka organizuar, nga të cilat ka përfituar mjaft. Njëri udhëtim ka qenë nëpër Evropë, tjetri ka qenë në Stamboll të Turqisë.
Ai ka arritur sukses shumë të mirë në studime. Por, si e ka arritur këtë? “Kur e do atë që bën, arritja e suksesit është e pashmangshme. Me angazhim dhe përkushtim të veçantë, dhe duke e bërë punën me dashuri e jo vetëm sa për ta hequr qafe, pastaj pasja e një vizioni për të arritur sukses në studime, si dhe puna dhe mësimi sistematik, të gjitha kanë ndikuar ne suksesin e arritur. Të mos harroj të cek këtu se i ashtuquajturi “self study”, apo studimi dhe hulumtimi mbi baza individuale, është shumë i rëndësishëm në arritjen e suksesit”, thekson Alberti.
Ai është shumë aktiv, me idetë e tij, por ende nuk ka një vend të përhershëm pune. Është duke i vazhduar studimet master në arkitekturë, sërish në UBT.