Ismet Gosalci: Gara bëhet për dije, jo për nota!
20/05/2015UBT Alumni: Si keni vendosur të studioni në UBT?
Gosalci: Studimet pranë UBT-së nuk i kam nisur rastësisht, pasi dëshira për të studiuar te unë nuk është shuar edhe pas një pauze mbi 20-vjeçare pas kryerjes së shkollës së mesme.
Pas kthimit nga eksodi, ku kam punuar punë të ndryshme në ndërtimtari mes viteve 1993-2001, jam inkuadruar menjëherë në marrëdhënie pune dhe pas dy vite pune në një Organizatë Humanitare kam dhënë kontributin tim si çdo qytetar i devotshëm i Kosovës. Aty kam hasur për herë të parë në probleme të natyrës së shkollimit dhe aty i kam premtuar vetës se duhet të investoj në rastin e parë që do të më jepej në shkollimin tim.
Mirëpo ky premtim i imi u shty për një kohë pas krijimit të familjes pasi të ardhurat e mia nuk më premtonin për një investim shtesë.
Këtë ëndërr dhe premtim e realizova vetëm pasi u inkuadrova në kompaninë private të sigurimit fizik “Balkan International” ku punoj në pozitën oficer personeli. Në vitin 2011 m’u dha mundësia që të kem informatat e para për UBT-në dhe aty për aty vendosa t’i bashkëngjitem kësaj armate të studentëve të etshëm për dije dhe shtegtim drejt horizonteve të reja.
UBT Alumni: Cilat kanë qenë lëndët e juaja të preferuara?
Gosalci: Në UBT kam studiuar shkencat e Menaxhmentit, Biznesit dhe Ekonomisë. Është për t’u përshëndetur niveli i përgatitjes profesionale të mësimdhënësve gjë që më ka ndihmuar shumë që unë krahas punës që punoj, të kem mundësinë të studioj në një ambient mësimi dhe garimi mes kolegëve, ku ka dominuar vrapimi pas shfletimit të literaturës vendase dhe të huaj që nuk ka qenë mungesë, si dhe ligjëratave e ushtrimeve nga profesorët e asistentët e UBT-së.
UBT Alumni: A mund të ndani me ne ndonjë ngjarje të rëndësishme nga periudha e studimeve?
Gosalci: Ngjarje të veçantë gjatë studimeve që mund të ndaj me lexuesit e “Alumnit” do të veçoja ligjëratat e prof.Nazmi Zeqirit, i cili me aq përkushtim dhe zell i përgatit ligjëratat e tij. Në këtë rangim hyn edhe prof. Mentor Geci. Që të dy këta profesorë, si dhe asistentet e tyre, janë aq të përgatitur, sa që vështirë studenti aktiv dhe punëtorë të dështojë. Me fjalë të tjera, zelli dhe angazhimi i studentit në UBT vlerësohet krahas rezultateve nga provimet që u nënshtrohen.
UBT Alumni: Sa keni përfituar nga programet e studimit në UBT?
Gosalci: Nga programet që kemi pasur gjatë studimeve në UBT, më së shumti përfitim kam pasur nga lëmia e Statistikës, pasi këtë e kam praktikuar në profesionin tim në kompaninë ku punoj.
UBT Alumni: A keni përfituar nga mundësitë që ofron UBT për udhëtime studimore, studime jashtë vendit përmes UBT-së, internship apo forma të tjera të angazhimit?
Gosalci: Përfitim kam pasur si bursist, pasi është bërë praktikë që studentët e dalluar të kenë mundësinë e aplikimit për bursë. Mendoj se kjo praktikë duhet edhe më tutje të vazhdoj në UBT pasi stimulon studentët në arritjen e rezultateve sa më të mira gjatë studimeve.
UBT Alumni: Ju keni treguar rezultate shumë të mira gjatë studimeve. Si e keni arritur këtë?
Gosalci: Angazhimi im personal dhe puna ekipore me kolegët Sherif Gosalcin dhe Petrit Mehmetin ka bërë që ne të bëjmë gara se kush po mëson më shumë, kush ka shfletuar dhe studiuar literaturë të nevojshme dhe të rekomanduar, ashtu që e tërë kjo është gërshetuar me sukses në provime. Te ne të tre, periudha e studimit dhe debatit nga secili provim që e kemi kryer nuk ka përfunduar me notimin nga profesori, por vazhdon edhe sot e kësaj dite edhe pse programin e studimit në nivel Master e kemi tjetër, prapëseprapë temat nga MBE zënë vend në debatet tona.
UBT Alumni: Çfarë pune bëni aktualisht?
Gosalci: Në kompaninë private të sigurimit fizik “Balkan International” së pari punova si roje, pastaj si shef ndërrimi, më vonë si shef sigurimi, dhe mes viteve 2003-2004 si radio-operator. Nga viti 2004 u avancova në pozitën oficer personeli ku edhe më tutje vazhdoj të ushtroj të njëjtin funksion. Në një kolektiv të shëndoshë ku marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe kolegiale janë të shkëlqyera kam të bëj me dokumentacionin e punëtorëve tanë (mbi 700 sish) dhe përcjelljen e tyre prej punësimit, certifikimit, licencimit, vazhdimit të kontratave të tyre dhe çdo lloj pune administrative që i përket personelit të një kompanie prestigjioze, si për nga shërbimi ndaj klientëve po ashtu edhe për nga brendi që ka ndërtuar, siç është “Balkan International”.
UBT Alumni: A jeni duke vazhduar studimet?
Gosalci: Studimet MASTER këtë vit jam duke i vazhduar në UBT, në programin e Politikave Publike dhe Menaxhimit. Me akreditimin e programit “Politika Publike dhe Menaxhim” anë UBT dhe pas konsultimit me profesorët dhe rektorin e UBT-së, mora këshilla se këtu mundem më së shumti të kontribuoj pasi aty ku punoj jam pjesë e menaxhmentit dhe se aty mund të jap ndihmën më të madhe pasi të diplomoj Master. Ky program premton se të gjithë ata që punojnë në Administratë e Menaxhment kanë mundësinë të përmirësojnë punën dhe menaxhimin e tyre dhe të të tjerëve me aplikimin e metodave të reja që do mësojnë gjatë studimeve Master.
Nga ky program sa më shumë që po mësoj sot, aq më shumë po e zbuloj se sa i paditur paskam qenë dje.