Muharrem Cani: Rezultatet e mira duan shumë punë dhe përkushtim

13/05/2015

“Për të arritur rezultate të mira duhet një punë dhe përkushtim i madh, mirëpo duhet të jemi mirënjohës edhe për të gjithë profesorët dhe asistentët, të cilët nuk kanë hezituar asnjëherë që të na ndihmojnë për çdo paqartësi, duke i ndarë njohuritë e tyre bashkë me ne, duke na ofruar materiale, literaturë të mjaftueshme dhe, falë përkushtimit të tyre dhe tonin, kemi arritur të tregojmë rezultat të kënaqshëm”. Kështu shprehet Muharrem Cani, i cili pas përfundimit të studimeve bachelor në Fakultetin e Arkitekturës në UBT është duke i vazhduar studimet master në të njëjtin fakultet.

 

“Jam regjistruar prapë në UBT për studimet master në po të njëjtin drejtim, pra Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor ku tani, përveç disa profesorëve qe i kemi pasur edhe më herët, ka edhe profesorë ligjërues nga universitete të ndryshme të Evropës”, vijon ai.

Teksa përkujton fillimin e studimeve, z.Cani thotë se ndikim për t’u regjistruar në këtë degë të studimeve në UBT, pas dëshirës së tij për të studiuar në arkitekturës, kanë pasur edhe kolegë të tij, që tashmë kishin nisur studimet në UBT, që i kanë folur për mundësitë e mira për studime që ofrohen në këtë institucion të lartë arsimor.

Ai thotë se lënda që ka pasur më për qejfi është ajo e Konstruksioneve Arkitektonike, ndërsa thekson se gjatë periudhës së studimeve, për studentët kanë qenë shumë të rëndësishme vizitat nëpër fabrika të ndryshme, vizita në disa qyteteve evropiane, të cilat kanë qenë me rëndësi arkitektonike, vizita në panaire të materialeve në Turqi, pastaj punëtoria e realizuar me studentët e Universitetit “Mimar Sinan” në Stamboll e të tjera.

 

Gjithashtu, ai shprehet se nga programet e studimit në UBT kemi përfituar mjaft shumë dhe është i kënaqur nga ajo që u është ofruar, me ligjëratat, ushtrimet, konsultimet, me kontributin që e kanë dhënë profesorët dhe asistentët për studentët.

Z.Cani, si edhe gjatë kohës së studimeve, vazhdon të punojë në qytetin e Ferizajt dhe në rrethinë, në kuadër të një ndërmarrjeje të ndërtimtarisë. 

 

“Sigurisht se pas studimeve, aftësitë e mia janë më të avancuara se më parë, si rrjedhojë edhe kualiteti i punimeve është më i lartë”, shprehet ai.

Nisur nga kjo, ai ka një porosi për studentët e rinj. “Punoni sa më shumë, bashkëpunoni ndihmojeni njëri-tjetrin në mësime, shfrytëzojini të gjitha mundësitë që u ofrohen për studime sa më të mira dhe  suksesi nuk do të mungojë”.