Studentët e Arkitekturës në UBT përmbyllën workshopin “Linking Albania-Kosova-Macedonia” në Vjenë

12/05/2015

Studentët e Fakultetit të Arkitekturës të UBT-së  vizituan Fakultetin Teknik të Bratisllavës, Sllovaki, ku u pritën nga profesori Marosh Finka  dhe zyrtarë nga Departamenti i Urbanizmit të Bratislavës. Ata u njoftuan me zhvillimet e fundit të qytetit të Bratisllavës dhe bashkëpunimet e fundit të kryeqytetit sllovak me Vjenën, drejt krijimit të qyteteve “Smart”. Ata u njohën gjithashtu me strategjitë e përpiluara nga të dy kryeqytetet dhe përparimet e bëra në drejtim të afrimit të këtyre qyteteve, gjithmonë duke pasur si qëllim ruajtjen e ambientit dhe nxitjen e politikave të ruajtjes së energjisë dhe shfrytëzimin e energjive të rinovueshme.

 

Pas kthimit në Vjenë ata ndoqën prezantimin mbi historinë e zhvillimit Urban të Vjenës nga Prof. Gerhard Schimak dhe  Skender Kosumi.

Të nesërmen ata përmbyllën workshopin 5-ditor me prezantimet finale që u mbajtën në ambientet e Universitetit Teknik të Vjenës. Të gjitha punimet pritet së shpejti të jenë pjesë e publikimit të fundit të TU.

 

Gjithashtu ceremonia përmbyllëse zuri vend në Heuriger Kierlinger, me një nga netët tradicionale vjeneze të shoqëruara me  ushqim lokale dhe verë tradicionale të regjionit.

 

Studentët, po kështu, të udhëhequr nga profesor Skender Kosumi vizituan disa nga objektet më të njohura të Arkitekturës Moderne në Vjenë. Në  hapësirat e Kampusit të Fakultetit Ekonomik ata u pritën nga udhëheqësi i Projektit të objektit, arkitektja me famë botërore Zaha Hadid dhe Peter Cook, arkitekt.

Më pas ata vizituan edhe objektin DC Tower që ofron pamje të gjithë qytetit të Vjenës dhe objekte të tjera të njohura.