Studenti Agon Ahmeti, pjesë e kompanisë gjermane “Beo Software – Kosovo”

02/02/2015

Prishtinë, 2 shkurt. – Studentë të UBT-së vazhdojnë nga dita në ditë të jenë pjesë e institucioneve dhe kompanive të rëndësishme në vend dhe jashtë saj apo e kompanive ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

 

Njëri prej tyre, studenti Agon Ahmeti është bërë pjesë e kompanisë gjermane “Beo Software – Kosovo”, me seli në Ferizaj. Kontaktin me këtë kompani ai e ka bërë përmes Qendrës së Karrierës së UBT-së, e cila shërben si mundësi shumë e mirë e prezantimit të UBT-së dhe sidomos e kontakteve të studentëve me kompani të rëndësishme në vendin tonë, si edhe kompanitë ndërkombëtare.

 

Agoni thotë se në kontakt me kompaninë “Beo Software” ka rënë në kontakt, pasi ka marrë informacionin nga Qendra e Karrierës e UBT-së. 

 

“Pas interesimit tim rreth kompanisë “Beo Software”, ata më ftuan që të takoj themeluesin e saj, z.Clemens Sexauer. Ai më njoftoi rreth planeve të kompanisë në Kosovë për të hapur fillimisht një degë për testim të softuerit dhe pastaj edhe të asaj për testim të sigurisë (Penetration Testing)”, thekson Agoni.

 

Sipas tij, kjo kompani punëson rreth 150 punëtorë, prej të cilëve 15 momentalisht janë të punësuar në Kosovë. 

 

“Pata rastin edhe t’i vizitoj zyrat qendrore të kompanisë në Endingen në Kaiserstuhl që ishte një mundësi e mirë për t’u njohur me afër me punën që “Beo” kryen”, thotë ai.

 

I pyetur lidhur me rolin e Qendrës së Karrierës në UBT në punësimin e tij, z.Ahmeti shprehet: “Roli i Qendrës së Karrierës ka qenë krucial, pasi që ishin ata që më informuan se një mundësi e tillë ekziston”.

 

Studenti Ahmeti çmon shumë ndihmesën që i ka krijuar dija e krijuar gjatë studimeve në UBT dhe ky institucion përgjithësisht, në mënyrë që ai sot të mund të kryejë punën e tij. 

 

“Fatmirësisht udhëheqësit e kësaj kompanie kishin pasur mundësinë të takohen paraprakisht edhe me rektorin e UBT-së, z.Edmond Hajrizi. Në momentin kur unë u prezantova si student i UBT-së, ata tashmë kishin edhe informacionet e nevojshme rreth programeve akademike që UBT ofron. Para ca muajsh kemi punësuar edhe një tjetër student të UBT-së në Departamentin për Testim të Sigurisë dhe jemi të kënaqur maksimalisht me njohuritë e tij, formimin akademik dhe profesional që ka“, thekson studenti Agon Ahmeti.

Në fund, studenti Agon Ahmeti ka një porosi për studentët e UBT-së: “Unë shpesh përcjell njoftimet e UBT-së, përmes të cilave studentët njoftohen për mundësi shumë të mira për studime të mëtejshme, programet për exchange dhe punësime. Kam përshtypjen se z.Edmond Hajrizi është një person që në vazhdimësi punon që sa më shumë të ofrohen mundësi të tilla për studentët e UBT-së. Mjafton që ata t’i ndjekin ato dhe të aplikojnë, tek e fundit nuk humbasin asgjë”.