
UBT në krye të fuqizimit të vajzave në ICT
24/04/2025Në një epokë ku teknologjia po e dikton ritmin e zhvillimit global, mijëra vajza dhe gra në Kosovë dhe më gjerë kanë zgjedhur që rrugëtimin e tyre profesional ta ndërtojnë në UBT – institucionin lider të arsimit në vend, i njohur për standardet e tij të larta akademike dhe inovacionin në fusha kyçe si teknologjia informative, shkencat kompjuterike dhe inxhinieria.
Me një ekosistem arsimor që fillon nga arsimi fillor dhe shtrihet deri në nivelet më të avancuara të studimeve bachelor dhe master, UBT ka krijuar hapësirë të barabartë për të gjithë, duke u bërë kështu një model i fuqizimit të grave dhe vajzave në fushat që tradicionalisht kanë qenë të dominuara nga burrat.
Mbi 2,500 vajza dhe gra kanë zgjedhur UBT-në për studime në ICT, një numër që sa vjen e rritet, duke reflektuar jo vetëm një ndryshim kulturor, por edhe besimin që UBT i jep potencialit dhe talentit të gjinisë femërore në këtë sektor strategjik.
Në zemër të këtij vizioni qëndron Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i cili thekson se:
“Çfarë na motivon dhe na bën krenar është rritja e vazhdueshme e numrit të studenteve në sektorin e ICT-së. Ne besojmë se vajzat dhe gratë do të jenë lideret e inovacionit të së ardhmes. UBT u ofron mbështetje të plotë për të qenë jo vetëm të përgatitura për tregun vendor, por edhe për atë ndërkombëtar – për të konkurruar, për të udhëhequr dhe për të frymëzuar”.
Ky angazhim nuk është vetëm teorik: UBT ofron bursa studimi, praktika profesionale, akses në laboratorë të teknologjisë së avancuar, si dhe mentoring të dedikuar, për t’i mbështetur studentet në çdo hap të rrugëtimit të tyre akademik e profesional.
Përmes Gjimnazit TIK, vajzat kanë mundësi të fillojnë herët me përgatitjen e tyre për një karrierë në teknologji. Më pas, ato mund të vazhdojnë studimet në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike dhe Inxhinierisë – shkollën më të madhe të teknologjisë në vend – apo në programe si Sistemet e Informacionit dhe Menaxhim i Mekatronikës.
UBT është më shumë se një universitet – është një platformë për fuqizim, inovacion dhe përfaqësim. Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në ICT, por edhe çdo ditë të vitit, UBT promovon rolin e grave në teknologji përmes aktiviteteve, kampanjave vetëdijesuese dhe projekteve që synojnë ndryshimin afatgjatë.
Sot, qindra vajza dhe gra të diplomuara nga UBT janë në pozita udhëheqëse në kompani të teknologjisë, kanë nisur biznese të suksesshme, janë pjesë e institucioneve vendore e ndërkombëtare, si dhe kontribuojnë në zhvillimin e komunitetit përmes njohurive dhe përvojës së tyre.
Kjo nuk është vetëm histori suksesi, por një transformim i vazhdueshëm që UBT po e udhëheq me përkushtim. Me synimin që Kosova të ketë më shumë shkencëtare, programere, inxhiniere dhe udhëheqëse teknologjike, UBT do të vazhdojë të jetë një dritare mundësish për vajzat dhe gratë që ëndërrojnë më shumë dhe që synojnë të arrijnë gjithçka.