Rektori Hajrizi vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Farmacisë dhe Kozmetikës “Cosmofarma Exhibition” në Bolonja

24/04/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka vizituar panairin ndërkombëtar “Cosmofarma Exhibition” që u mbajt në Bolonja të Italisë – një nga ngjarjet më të rëndësishme në Evropë në fushën e farmacisë, kozmetikës dhe mirëqenies.

Ky panair shërben si platformë për prezantimin e risive dhe praktikave më të avancuara në kujdesin farmaceutik dhe estetik, me fokus në shëndetin holistik të qytetarëve.

Pjesëmarrja e UBT-së në këtë aktivitet prestigjioz është dëshmi e angazhimit të saj për të qëndruar në hap me zhvillimet globale dhe për të promovuar standardet më të larta akademike e shkencore, sidomos në Fakultetin e Farmacisë, por edhe në njësitë tjera brenda ekosistemit inovativ të UBT-së.

Gjatë vizitës, Rektori Hajrizi zhvilloi takime me përfaqësues të kompanive farmaceutike dhe kozmetike, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në fushat e teknologjisë farmaceutike, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të produkteve të reja.

UBT tashmë ka ndërtuar eksperiencë të konsiderueshme në sektorin e farmacisë dhe shëndetësisë, jo vetëm në arsimim, por edhe përmes prodhimeve të veta, me synimin për të zgjeruar më tej bashkëpunimet ndërkombëtare në këtë fushë me ndikim të madh shoqëror.