Rektori Hajrizi viziton fabrikën “Pensi” në Bolonja – shembull suksesi i diasporës shqiptare në Itali

24/04/2025

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë një vizite zyrtare në Itali, ka vizituar fabrikën industriale “Pensi” në qytetin e Bolonjës – një ndërmarrje moderne që është ndërtuar dhe drejtohet me profesionalizëm nga sipërmarrësit shqiptarë me origjinë nga Shkodra, Genc dhe Ervin Podgorica.

Gjatë vizitës, Rektori Hajrizi u njoh nga afër me teknologjitë më të avancuara që përdoren në fabrikë, organizimin modern të punës si dhe me gamën e gjerë të produkteve që zhvillohen në këtë qendër të prodhimit industrial.

Ai i përgëzoi vëllezërit Podgorica për suksesin e arritur dhe për kontributin e tyre si model frymëzues i diasporës shqiptare në botë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes bizneseve shqiptare në diasporë dhe institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë.

Rektori Hajrizi shprehu gjithashtu gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, sidomos në drejtim të shkëmbimit të përvojave dhe zhvillimit të projekteve të përbashkëta në fushat e industrisë, mekanikës, robotikës dhe inovacionit teknologjik – fusha në të cilat UBT po përgatit kuadro të rinj dhe të specializuar prej vitesh.