Nga materialet e ricikluara te veprat e artit – Punëtori kreative me studentët e Artit dhe Medias Digjitale në UBT

27/03/2025

Në UBT u organizua një punëtori frymëzuese me temën “Riciklimi në praktikat e artit bashkëkohor”, në kuadër të Fakultetit Art dhe Media Digjitale, ku studentët dhe arti u bashkuan për të eksploruar një qasje të re krijuese.

I ftuari special i kësaj punëtorie ishte artisti i njohur nga Kosova, Driton Selmani, i cili është i njohur për eksperimentimin e tij me materialet e ricikluara dhe krijimin e veprave me një qasje të thellë konceptuale. Gjatë këtij sesioni, studentët e AMD-së patën privilegjin të bashkëbisedojnë me të, duke eksploruar mënyrat se si riciklimi nuk është vetëm një akt ekologjik, por edhe një proces artistik që mund të transformojë plotësisht narrativën e një vepre arti.

Në qendër të diskutimit ishin praktikat e reja krijuese që sfidojnë perceptimet tradicionale mbi materialin dhe funksionin e tij në artin bashkëkohor. Selmani ndau me studentët përvojën e tij mbi mënyrën se si objektet e përdorura, të refuzuara apo të vjetra mund të fitojnë një jetë të re përmes artit, duke u shndërruar në mediume shprehëse me histori dhe mesazhe të fuqishme.

Punëtoria nuk u kufizua vetëm në teori – ajo u zhvillua në një atmosferë interaktive, ku studentët kishin mundësinë të eksperimentonin me materiale të ndryshme të ricikluara, duke parë nga afër sesi një objekt i zakonshëm mund të transformohet në një formë të re estetike dhe konceptuale. Po ashtu, u theksua rëndësia e hulumtimit në hapësirë si pjesë e domosdoshme e procesit krijues, duke nxitur një qasje më të thellë ndaj elementeve të mjedisit përreth.

Ky aktivitet pasuron përvojën akademike të studentëve të AMD-së, duke i motivuar ata të eksperimentojnë me forma të reja të shprehjes artistike dhe të eksplorojnë ndërthurjen mes artit, ekologjisë dhe teknologjisë. Përmes takimeve të tilla, UBT vazhdon të mbështesë dhe të promovojë krijimtarinë inovative dhe ndërveprimin mes studentëve dhe artistëve bashkëkohorë, duke e shndërruar ambientin akademik në një laborator idesh dhe eksperimentimesh artistike.