Presidenti i UBT-së, z. Hajrizi vizitoi kompani dhe institute gjermane

13/05/2014

Prishtinë, 13 maj 2014 – Presidenti i UBT-së, prof. dr. Edmond Hajrizi, në vazhdën e aktiviteteve të shumta që po i zhvillon në Republikën e Gjermanisë, gjatë këtyre ditëve ka vizituar, edhe kompani të njohura të regjioneve, institute për energji, dhe institucione tjera të rëndësishme, të organizuara nga dekani i Universitetit të Offenburgut, prof. dr. Alfred Isele. 

 

Z. Hajrizi, gjatë javës që vjen do t’i vizitojë edhe disa universitete tjera të këtij shteti. Ai do të takohet me personalitete të rëndësishme nga bota akademike-shkencore dhe të industrisë, me qëllim të bashkëpunimit ndërinstitucional.

 

Me prof. Isele, përveç që u bisedua gjerësisht për vazhdimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, ata biseduan edhe për mundësinë e zhvillimit të një projekti më konkret ndërmjet këtyre dy institucioneve të arsimit të lartë duke përfshirë dhe industrinë nga të dyja vendet. “UBT është duke punuar në një projekt pilot për të sjellë industrinë në Kampusin e UBT-së, (Industry on Campus), me qëllim për t’ju mundësuar studentëve të këtij institucioni punësimin në të, dhe për tu njohur me zhvillimet më të reja në industri. Njëkohësisht ky projekt është dhe në ndihmë të stafit akademik të UBT-së duke i dhënë mundësinë të zhvillojnë hulumtime e tyre konform industrisë direket në kampusë”, tha z. Hajrizi.

 

Z. Hajrizi, i shoqëruar nga prof. Isele, vizituan edhe kompaninë HERRENKNECHT. Ai dhe shoqëruesi i tij z. Isele, në këtë kompani u pritën nga udhëheqësi i sektorit të zhvillimit, dr. Marc Peters, i cili ua prezantoi strategjinë e kësaj kompanie, fushat e interesit, sektorin e prodhimit të pajisjeve dhe shkollën profesionale që operon në kuadër të kësaj kompanie. 

 

Po ashtu edhe dr. Peters, shprehu interesin e kompanisë HERRENKNECHT, e cila ka për qëllim për të qenë aktive në rajon, por edhe për të bashkëpunuar me kompanitë kosovare për të liferuar produkte të gatshëm të cilat duhet të jenë cilësore.

 

Në kuadër të kësaj, dr. Marc Peters, shprehu gatishmërinë për t’i mundësuar studentëve të UBT-së praktikën në këtë kompani, e cila prodhon pajisje për shpimin dhe ndërtimin e tuneleve/ kanaleve nëntokësore. Është bërë me dije se 70% e tuneleve në të gjithë botën ndërtohen nga kjo kompani, e cila ka 35 vite ekzistencë.

 

Po ashtu, z. Hajrizi, duke pasur parasysh faktin se UBT ka fituar projektin “TEMPUS”, për krijimin e një qendre kompetente për energji efiçiente dhe në kuadër të Universitetit të Offenburgut, vizitoi edhe Institutin për Energji, dhe në përgjithësi laboratorët e këtij Instituti.Ai u pritë nga prof. Bhol, si dhe me bashkëpunëtorët e tij.

 

Po ashtu në këtë takim z. Hajrizi bisedoi për mundësit për ta rritur efiçiencën për ndërtimin e qendrës së UBT-së. Gjithashtu, në kuadër të vizitës, z. Hajrizit, i janë prezantuar dhe prototipet, të cilat po i zhvillon ky institucion i lartë arsimor, si dhe sukseset që janë arritur në këtë drejtim.

 

Njëkohësisht Hajrizi i ka prezantuar zhvillimet e fundit të UBT kolegëve të Offenburgut. “Me bashkëpunëtorët kësaj pjese u theksua rëndësia që ka për Kosovën zhvillimi i kompetencës në fushat bazike të industrisë siç është përpunimi i metalit, testimi i materialeve si dhe teknologjia e saldimit”, tha z. Hajrizi.

 

Ai shtoi se ekspertët e këtij Institucioni shprehen gatishmërinë për të ndihmuar në këtë drejtim. Kjo ishte një përvojë shume e mire dhe në kohë, duke marrë parasysh se UBT ka planifikuar se gjatë këtij viti ta ndërtojë një laborator modern në fushën e materialeve, përpunimit të metaleve dhe saldimit, shprehi z. Hajrizi.

 

Rektori i UBT, prof. dr. Edmond Hajrizi, është ndalë edhe në Karlsruhe, për ta vizituar për së afërmi dhe universitetin e njohur të këtij qyteti KIT – Karlsruhe Institute of Technology. 

 

Me ftesë të Universitetit të Aachenit, z. Hajrizi, do të qëndrojë edhe tërë javën që vjen në këtë universitet dhe për t’i parë së afërmi zhvillimet e fundit me fokus transferimin e teknologjisë, ndërmarrësisë, inovacionit si dhe hulumtimet shkencore. 

 

Universiteti RWTH Aachen është pjesë e “Iniciativës për ekselencë” dhe renditët si një ndër universitetet më të mira në Republikën e Gjermanisë.