Diskutim i hapur në UBT me Christopher Hyland: Miqësia Kosovë-ShBA, e ndërtuar mbi vlera të përbashkëta

18/03/2025

Në Parkun Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik të UBT-së në Lipjan, u mbajt diskutimi i hapur mbi temën “Kosovo’s Constitution: A Model of Democracy and Inclusivity”, me pjesëmarrjen e Christopher Hyland, një prej mbështetësve të fuqishëm të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo ngjarje, e organizuar nga UBT HYLAND Center of Global Studies, mblodhi studentë, akademikë dhe të ftuar të rëndësishëm, të cilët patën mundësinë të dëgjojnë dhe të diskutojnë mbi rëndësinë e Kushtetutës së Kosovës në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Gjatë fjalës së tij, Christopher Hyland ndau përvojën dhe përkushtimin e tij në mbështetjen e aspiratave të shqiptarëve për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar. Ai vuri në dukje rolin e tij në forcimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe rëndësinë e ndërhyrjes së NATO-s për lirinë e Kosovës.

“Që nga fundi i viteve 1980 dhe fillimi i viteve 1990, kërkova mbështetje nga komunitetet shqiptare dhe kosovare në Amerikë, të cilat sapo kishin filluar të çliroheshin nga aparati shtypës i diktaturës komuniste. Gjatë fushatës dhe tranzicionit presidencial të Bill Clinton, si dhe më pas, punova me përkushtim për ta vendosur Kosovën dhe komunitetin shqiptaro-amerikan në qendër të politikës së administratës së re”, u shpreh Hyland.

Ai gjithashtu ndau kujtimet për takimet me figura kyçe të Kosovës, duke përfshirë Presidentin Ibrahim Rugova dhe aktivistin Jim Xhema, të cilët luajtën një rol kyç në ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Kam pasur nderin të bashkëpunoj me figura të mëdha si Presidenti Ibrahim Rugova dhe Jim Xhema, të cilët ishin thelbësorë në ndërtimin e një rruge të sigurt drejt shtetësisë së Kosovës. Rugova me vizionin dhe diplomacinë e tij dhe Xhema me përkushtimin e tij të palodhur në SHBA, luajtën një rol të pazëvendësueshëm në këtë proces historik”.

Në hapjen e kësaj ngjarje, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e diskutimeve të tilla në edukimin dhe ndërgjegjësimin e studentëve për demokracinë dhe të drejtat kushtetuese.

“UBT është një qendër e rëndësishme e inovacionit, dijes dhe zhvillimit akademik, duke kontribuar në formimin e liderëve të ardhshëm që do të ndikojnë në qeverisjen, ligjin dhe demokracinë në Kosovë dhe më gjerë. Ne jemi të nderuar që kemi mundësinë të presim një figurë kaq të shquar si Christopher Hyland, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në avancimin e proceseve demokratike dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës,” tha Rektori Hajrizi.

Gjatë diskutimit, Christopher Hyland analizoi thellësisht rolin e Kushtetutës së Kosovës si një model demokracie dhe gjithëpërfshirjeje, duke vlerësuar rëndësinë e saj në forcimin e institucioneve shtetërore dhe të drejtave të qytetarëve. Ai gjithashtu dha një perspektivë të gjerë mbi konstitucionalizmin si bazë e ndërtimit të demokracive të qëndrueshme në nivel global.

“Jam krenar për lidhjen e fortë që është krijuar mes Kosovës dhe SHBA-së. Kjo nuk është një miqësi e rastësishme, por një marrëdhënie e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe demokracisë. Kur NATO ndërhyri për të ndalur gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës, ishte një moment historik që erdhi si rezultat i një angazhimi të madh diplomatik dhe një miqësie të sinqertë mes dy popujve”.

Hyland gjithashtu ngriti shqetësimin për kërcënimet ndaj Kushtetutës së Kosovës, duke theksuar se: “Mbrojtja e Kushtetutës së Kosovës është thelbësore, sidomos ndaj përpjekjeve për të krijuar një asociacion të komunave serbe brenda Kosovës, një entitet që do të ishte de facto i lidhur me Serbinë.Kjo është një çështje që duhet të adresohet me kujdes të madh”.

Në përmbyllje të diskutimit, Christopher Hyland shprehu vlerësimin e tij për UBT-në dhe për përpjekjet e saj për të ndërtuar një akademi që kontribuon në zhvillimin e Kosovës.

“Kur jam në UBT, ndiej se jam në shtëpi. Ky është një institucion i jashtëzakonshëm që ka një ndikim të madh në të gjitha fushat e shoqërisë. Jam i nderuar të jem këtu sot dhe të ndaj këtë bisedë të rëndësishme me ju”, u shpreh Hyland.