
UBT dhe Oda e Inxhinierëve diskutojnë mundësitë e bashkëpunimit në inxhinieri
18/03/2025Në UBT, u zhvillua një takim mes Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Odës së Inxhinierëve, me qëllim forcimin e lidhjeve akademike dhe profesionale në këtë fushë. Takimi mblodhi së bashku stafin akademik të UBT-së, anëtarët e Odës së Inxhinierëve dhe kryetarin e saj, Arsim Rapuca.
Takimin e hapi Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Prof. Visar Krelani, i cili prezantoi të pranishmit dhe theksoi angazhimin e UBT-së në mbështetjen e profesionistëve të inxhinierisë përmes një bashkëpunimi të ngushtë me Odën. Ai vuri në pah rolin e rëndësishëm të UBT-së në edukimin dhe formimin e inxhinierëve të rinj, si dhe në përfshirjen e tyre në tregun e punës dhe industrinë e ndërtimit.
Në fjalën e tij, Kryetari i Odës së Inxhinierëve, Arsim Rapuca, foli për rëndësinë e këtij takimi si një hap konkret drejt krijimit të një platforme më të fortë për inxhinierët e rinj dhe profesionistët e fushës. Ai theksoi se përmes kësaj bashkëpunimi, inxhinierët do të kenë më shumë mundësi për zhvillim profesional, trajnim dhe përfaqësim më të mirë në sektorin e ndërtimit.
Pikat kryesore të diskutimit përfshinë:
- Mundësitë e bashkëpunimit mes fakulteteve dhe Odës së Inxhinierëve;
- Përfshirjen e studentëve në projekte praktike dhe profesionale;
- Nevojën për avancim të kurrikulave në përputhje me kërkesat e tregut të punës;
- Rritjen e pjesëmarrjes së inxhinierëve në procese vendimmarrëse në sektorin e ndërtimit dhe industrinë përkatëse.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve mes akademisë dhe komunitetit inxhinierik, duke krijuar ura bashkëpunimi për projekte të përbashkëta dhe mundësi të reja për studentët dhe profesionistët.
UBT dhe Oda e Inxhinierëve mbeten të përkushtuara për të zhvilluar iniciativa që do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së edukimit inxhinierik dhe në avancimin e profesionit të inxhinierit në Kosovë.