UBT informon maturantët e Prizrenit për mundësitë e studimit dhe bursat ndërkombëtare

13/03/2025

Në kuadër të fushatës informuese për maturantët në mbarë Kosovën, Qendra e Karrierës e UBT-së zhvilloi një sesion informues në Shkollën e Mesme Teknike “11 Marsi” në Prizren, ku prezantoi mundësitë e shumta akademike dhe profesionale që ofron UBT.

Gjatë takimit, maturantët u informuan për programet e avancuara të studimit në UBT, të cilat mbulojnë një gamë të gjerë fushash, duke përfshirë teknologjinë, inxhinierinë, shkencat shëndetësore, biznesin, artin dhe shumë të tjera. Po ashtu, ata patën mundësinë të mësojnë më shumë rreth bursave Erasmus+, të cilat u ofrojnë studentëve mundësinë e studimeve dhe shkëmbimeve akademike në disa nga universitetet më prestigjioze të Evropës.

Përfaqësuesit e UBT-së theksuan avantazhet që ky institucion ofron për studentët e tij, përfshirë infrastrukturën moderne, stafin e kualifikuar, qasjen inovative në arsim dhe rrjetin e gjerë të bashkëpunimeve ndërkombëtare.