UBT informon maturantët e Pejës për mundësitë e studimit dhe bursat ndërkombëtare

13/03/2025

UBT po vazhdon fushatën informuese në të gjithë Kosovën, duke i ndihmuar maturantët të marrin vendime të informuara për të ardhmen e tyre akademike. Së fundmi, Qendra e Karrierës e UBT-së vizitoi Shkollën e Mesme “Odhise Paskali” në Pejë, ku zhvilloi një sesion informues dhe diskutim të hapur me maturantët e kësaj shkolle.

Gjatë takimit, nxënësit u njohën nga afër me programet e avancuara të studimit që ofron UBT, të cilat përfshijnë fusha të ndryshme si teknologjia, inxhinieria, shkencat shëndetësore, biznesi, arti dhe shumë të tjera. Po ashtu, ata u informuan për mundësitë e shumta të bursave dhe mobiliteteve ndërkombëtare përmes programit Erasmus+, që iu mundëson studentëve të studiojnë në universitetet më prestigjioze të Evropës, duke fituar përvoja akademike dhe kulturore të pasura.

Përfaqësuesit e UBT-së theksuan cilësinë e lartë të arsimit, infrastrukturën moderne dhe rrjetin e gjerë të bashkëpunimeve ndërkombëtare, që e bëjnë UBT-në një zgjedhje të shkëlqyer për studentët që synojnë suksesin profesional dhe akademik.

Ky aktivitet është pjesë e përkushtimit të UBT-së për t’iu ofruar maturantëve të gjithë informacionin e nevojshëm për të bërë zgjedhjen e duhur për të ardhmen e tyre.