
UBT dhe Instituti Albanologjik nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për avancimin e kërkimeve shkencore dhe zhvillimin e projekteve akademike
05/03/2025UBT dhe Instituti Albanologjik kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi, e cila synon forcimin e kërkimeve shkencore dhe zhvillimin e projekteve akademike me ndikim në fushën e albanologjisë dhe disiplinave të tjera të ndërlidhura.
Në ceremoninë e nënshkrimit, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, dhe u.d. drejtori i Institutit Albanologjik, Prof. Asoc. Dr. Naim Berisha, theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi, i cili do të sjellë përfitime të mëdha për studiuesit, akademikët dhe studentët.
Marrëveshja parasheh organizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe akademike, shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës ndërmjet stafit akademik dhe studiuesve, si dhe mbështetjen e studentëve dhe studiuesve të rinj për angazhim në hulumtime shkencore.
UBT do të ofrojë mbështetje të rëndësishme për Institutin Albanologjik, veçanërisht në aspektin e digjitalizimit dhe ruajtjes së trashëgimisë shkencore. Gjithashtu, përmes bashkëpunimeve të saj ndërkombëtare, UBT do të luajë një rol kyç në zgjerimin e rrjetit të bashkëpunimeve me institucione akademike jashtë vendit, duke kontribuar në promovimin e studimeve albanologjike në nivel global.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, studentët e UBT-së do të përfitojnë mundësi të reja për t’u përfshirë në projekte kërkimore të Institutit Albanologjik, duke dhënë kontributin e tyre përmes hulumtimeve dhe analizave shkencore.
Përveç kësaj, UBT do të vërë në dispozicion laboratorët dhe qendrat e saj të avancuara të kërkimit, duke ofruar asistencë teknike për realizimin e projekteve që kërkojnë analiza të thelluara të të dhënave dhe përdorimin e teknologjisë moderne.