UBT, TİKA dhe ÇOMÜ nisin bashkëprojektin për Transformimin e Gjelbër të Kosovës

04/02/2025

Një nismë e rëndësishme për të ardhmen e qëndrueshme ka nisur të realizohet në Kosovë, ku projekti i Transformimit të Gjelbër po merr formë përmes një bashkëpunimi të ngushtë mes dhe UBT-së, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA) dhe Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart (ÇOMÜ).

Ky projekt synon të sjellë një ndryshim të dukshëm në rajon, duke ofruar mundësi trajnimi për të rinjtë në një fushë që është thelbësore për të ardhmen e planetit: transformimi i gjelbër.

Përmes këtij projekti, synohet të krijohen mundësi të reja për të rinjtë nga Ballkani dhe më gjerë, të cilët do të pajisen me njohuri dhe aftësi në fushën e zhvillimit të qëndrueshëm dhe mbrojtjes së mjedisit. Trajnimet do të fokusohen në krijimin e mundësive të punësimit në sektorë të cilët do të përbëjnë motorët e ardhshëm të ekonomisë, përmes punonjësve të quajtur “me jakë të gjelbër”, të cilët do të udhëhiqen drejt një bote më të gjelbër dhe më të qëndrueshme.

Nga organizatorët vlerësohet se ky projekt është një mundësi e jashtëzakonshme për të rinjtë që të hapin dyer të reja për karrierën e tyre, duke promovuar një barazi të plotë në mundësitë për t’u angazhuar në këto procese. Njëkohësisht, ai kontribuon në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, si dhe në ndihmën ndaj zhvillimit të një të ardhmeje të bazuar në parimet e qëndrueshmërisë mjedisore, sociale dhe ekonomike.

Në udhëheqjen e këtij projekti janë, Kryetari i TİKA-s, Serkan Kayalar, Rektori i Universitetit Çanakkale Onsekiz Mart, Prof. Dr. R. Cüneyt Erenoğlu, dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi të cilët e drejtojnë këtë iniciativë nën kujdesin e Koordinatorit të Transformimit të Gjelbër të ÇOMÜ, Prof. Dr. Dilvin İpek. Kurse përfaqësuesi i UBT-së, Prof. Ass. Dr. Cengiz Çesko, është gjithashtu një kontribues i rëndësishëm në realizimin e këtij projekti.

Sipas profesorit Çesko, “ky projekt është më shumë se një mundësi për punësim; ai është një hap i rëndësishëm drejt një bote më të pastër, më të qëndrueshme dhe më të barabartë. Të gjithë ata që janë të angazhuar në këtë iniciativë janë të bindur se ndryshimi i vërtetë vjen përmes angazhimit të përbashkët, dhe se ky projekt është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndërkombëtar që ka si qëllim ndihmën për një të ardhme më të gjelbër për të gjithë”.

Ky projekt ndërkombëtar, i zbatuar në bashkëpunim të ngushtë mes TİKA-s, ÇOMÜ dhe UBT-së, krijon gjithashtu mundësi për zhvillimin e bashkëpunimeve afatgjata, përveç ofrimit të trajnimeve akademike dhe praktike.