UBT Start-up School nis trajnimet në Prizren, një mundësi e re për sipërmarrësit dhe inovatorët e rinj
03/02/2025Prizreni po shndërrohet në një qendër të re të inovacionit dhe ndërmarrësisë, pasi që, në një ceremoni të veçantë, nisi punën UBT Start-up School, një platformë e veçantë që synon të mbështesë sipërmarrësit, pronarët e bizneseve dhe profesionistët e rinj në ndërtimin dhe zhvillimin e ideve të tyre të biznesit.
Në ceremoninë e hapjes, e cila u mbajt në ambientet e UBT-së në Prizren, morën pjesë Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, Drejtori i Departamentit për Edukim dhe Zhvillim Profesional në UBT, Besnik Skenderi, si dhe një numër i madh studentësh, sipërmarrësish të rinj, përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe mentorë nga fusha e ndërmarrësisë dhe teknologjisë.
Rektori Hajrizi theksoi rëndësinë e edukimit dhe inovacionit në zhvillimin e bizneseve të reja dhe mbështetjen që UBT ofron për studentët dhe të rinjtë e apasionuar pas ndërmarrësisë.
“UBT Start-up School është një platformë gjithëpërfshirëse që do të ndihmojë sipërmarrësit e rinj të zhvillojnë idetë e tyre, të ndërtojnë rrjete të rëndësishme dhe të kenë qasje në mentorët më të mirë nga Kosova dhe jashtë saj. Ne po krijojmë një mjedis ku talenti, kreativiteti dhe inovacioni bashkohen për të prodhuar sukses”, u shpreh Rektori Hajrizi.
Nga ana tjetër, Besnik Skenderi, duke folur për përmbajtjen dhe objektivat e programit, nënvizoi rëndësinë e ndërlidhjes së edukimit me industrinë, duke mundësuar një qasje të re për zhvillimin e aftësive të sipërmarrësve të rinj.
Ky program inovativ ka për qëllim të krijojë një mjedis të favorshëm për edukimin dhe zhvillimin e aftësive në ndërmarrësi, duke i ndihmuar pjesëmarrësit të përgatisin dhe zgjerojnë bizneset e tyre përmes qasjes së drejtpërdrejtë me ekspertë nga Kosova, Gjermania dhe ShBA-ja.
Quality Kosova me mbështetjen e ITP-së përmes German Government (implemented by GIZ) dhe German Cooperation ka themeluar UBT Start-UP School, një iniciativë e cila ka për qëllim rritjen e aftësive dhe talentit të të rinjve në fushën e biznesit dhe inovacionit në Kosovë.
Në një ekonomi globale gjithnjë e më konkurruese, UBT Start-up School sjell një metodologji të re të të mësuarit, duke e kombinuar teorinë me praktikën dhe mentorimin nga ekspertë të njohur të fushës. Trajnimet përfshijnë aspekte kyçe të sipërmarrjes, si zhvillimi i ideve të biznesit, strategjitë e marketingut, menaxhimi i financave, transformimi digjital dhe globalizimi i kompanive të reja.
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të fitojnë njohuri të avancuara përmes punëtorive, diskutimeve interaktive dhe sesioneve të mentorimit, duke u përgatitur për sfidat e tregut modern.
Tre programe të dedikuara për çdo nivel të inovacionit dhe ndërmarrësisë:
- Ideator – për maturantët që dëshirojnë të eksplorojnë botën e sipërmarrjes dhe të zhvillojnë mendësinë inovative.
- Inovator – për studentët që synojnë të krijojnë start-up-e të reja dhe të aplikojnë ide kreative në botën e biznesit.
- Ndërmarrës – për profesionistët e rinj dhe pronarët e bizneseve që kërkojnë të rrisin dhe zgjerojnë aktivitetin e tyre në tregun lokal dhe ndërkombëtar.
Pse të bëhesh pjesë e UBT Start-up School?
- Mundësi për të bashkëpunuar me mentorë dhe ekspertë ndërkombëtarë
- Qasje në trajnime dhe punëtori të personalizuara për zhvillimin e bizneseve
- Rrjetëzim me sipërmarrës të suksesshëm dhe kompani partnere
- Mbështetje për zhvillimin e ideve nga faza fillestare deri në implementim
REGJISTROHU TANI dhe bëhu pjesë e një programi inovativ që synon të krijojë liderët e së ardhmes!