UBT, në vazhdën e konkretizimit të marrëveshjeve me institucionet e arsimit të lartë nga arena ndërkombëtare, mirëpret profesorët nga Letonia
31/01/2025Dy profesorë nga Vidzeme University of Applied Sciences në Letoni, Prof. Dr. Ilgvars Abols dhe Prof. Dr. Iveta Druva-Druvaskalne, vizituan UBT-në në kuadër të programit Erasmus+, për të konkretizuar marrëveshjen mes dy institucioneve tona dhe për të eksploruar mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë edhe mobilitetin e studentëve dhe stafit akademik.
Gjatë vizitës, ata zhvilluan takime me zyrtarët e Zyrës Ndërkombëtare të UBT-së, ku shfrytëzuan rastin për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin akademik, projektet e mundshme të përbashkëta (capacity building) dhe aplikimet për fonde të reja në kuadër të Erasmus+/KA171.
Gjithashtu, profesorët morën pjesë në një sesion informues për studentët e UBT-së mbi mundësitë e tyre për studime në Letoni, duke shfrytëzuar pikërisht marrëveshjen mbi mobilitetin e stafit dhe studentëve. Profesorët vazhduan vizitën e tyre në UBT Dukagjini Center dhe u njohën nga afër me Qytetin e Mençur të UBT-së në Lipjan, infrastrukturën moderne dhe mbështetjen që UBT u ofron të diplomuarve.
Një nga aktivitetet kryesore ishte tryeza e rrumbullakët me studentët dhe stafin akademik të programit të Turizmit, ku u diskutuan praktikat më të mira në turizëm dhe teknologjitë inovative në këtë fushë.
Gjatë qëndrimit të tyre, profesorët eksploruan gjithashtu qytetin e Pejës, ku, në shoqërimin e Prof. Kushtrim Dreshaj, vizituan Muzeun e Qytetit, Rugovën dhe atraksionet e turizmit malor, si dhe zhvilluan takime me partnerët e UBT-së në këtë sektor. Një nga takimet më domethënëse në Pejë ishte ai me kryetarin e komunës, z. Gazmend Muhaxheri, ku diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit në çështjet që lidhen me zhvillimin e turizmit në qytetin e Pejës.
Vizita përfundoi me një eksplorim të kryeqytetit, Prishtinës, duke shënuar kështu një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e partneriteteve të UBT-së me institucionet e arsimit të lartë nga arena ndërkombëtare dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.