Profesori i UBT-së, Dr. Xhavit Bytyçi, publikon librin “Lëndët e Para me Origjinë Shtazore”

23/01/2025

Profesori i Shkencave të Ushqimit dhe Bioteknologjisë në UBT, Dr. Xhavit Bytyçi, ka publikuar librin akademik me titull “Lëndët e Para me Origjinë Shtazore”. Ky libër, i dedikuar studentëve të programit Shkencat e Ushqimit, synon të plotësojë nevojën për literaturë të strukturuar në gjuhën shqipe, duke ofruar një burim gjithëpërfshirës dhe të domosdoshëm në këtë fushë.

Libri trajton rëndësinë e produkteve me origjinë shtazore në industrinë ushqimore përmes një përmbajtjeje të ndarë në 12 kapituj, ku ndër të tjera diskutohen:

  • Rëndësia e blegtorisë dhe kafshëve bujqësore si gjedhet, delet dhe dhitë.
  • Përbërja dhe vetitë e qumështit si një ndër lëndët më të rëndësishme ushqimore.
  • Mishi dhe ndikimi i faktorëve higjienikë dhe teknologjikë në cilësinë e tij.
  • Shpendaria, akuakultura dhe apikultura, që kontribuojnë në prodhimin e produkteve me prejardhje shtazore.

Libri është rezultat i përkushtimit të Dr. Bytyçit për t’u ofruar studentëve njohuri të thelluara dhe praktike, duke mbuluar tema të rëndësishme si seleksionimi i kafshëve, mirëqenia e tyre, dhe ndikimi i faktorëve teknologjikë dhe biologjikë në cilësinë e produkteve.

Përveç studentëve të Shkencave të Ushqimit, ky libër është një burim i vlefshëm edhe për ekspertët e bioteknologjisë, veterinarët, politikëbërësit dhe hulumtuesit e fushave bujqësore.

Recensentët e këtij libri, Prof. Ass. Dr. Medin Zeqiri dhe Prof. Ass. Dr. Januz Veziri, kanë vlerësuar lart cilësinë dhe rëndësinë e tij për zhvillimin e sektorit ushqimor në Kosovë.

Dr. Xhavit Bytyçi, i cili ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme si profesor dhe ekspert në fushën e veterinarisë dhe bioteknologjisë, shprehet se ky libër është konceptuar për të ndihmuar studentët të kuptojnë dhe të vlerësojnë rëndësinë e produkteve me origjinë shtazore në industrinë ushqimore. Ai gjithashtu falënderon bashkëshorten dhe familjen e tij për mbështetjen e pandërprerë gjatë procesit të punës në këtë libër.

Ky publikim është një tjetër dëshmi e përkushtimit të UBT-së dhe stafit të tij për të kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në Kosovë.