Institucioni që promovon liderë- promovoi librin “(S)a mund t’i besohet lidershipit të Kosovës”
09/01/2013Prishtinë, 9 janar 2013- Sot në hollin e UBT, u organizua promovimi i librit “(S)a mund t’i besohet lidershipit të Kosovës” ,të autorit Prof. Dr. Belul Beqaj, me ç`rast morën pjesë përfaqësues vendorë dhe nga fusha akademike, politike, studentë, familjarë dhe media, etj.
Përveç botuesit më saktësisht Presidentit të UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, fjalë rasti mbajtën edhe veprimtari dhe publicisti Adem Demaçi, politologu Ramush Tahiri, dhe Drejtori i Lëvizjes “Fol”, Petrit Zogaj.
“Më konkretisht ky libër është bazë e mirë për përcjelljen e njohurive nga fushat e lidershipit, politikës dhe publicistikës në përgjithësi, dhe e vlerësoj lartë punën e përkushtuar të autorit ndaj këtij libri ” tha Presidenti i UBT-së Prof. Dr. Edmond Hajrizi, njëherit edhe botuesi i këtij libri, dhe shtoi se duke qenë që nga fillimi i angazhuar për të ndjekur zhvillimet e këtij sektori, shpresojmë që autori edhe në të ardhmen do të vazhdoj të japë kontributin e tij duke na dhënë edhe botime tjera nga kjo fushë.
Kurse, z. Adem Demaçi, e vlerësoj lartë librin, por kërkoj nga autori Beqaj, që në publikime e tij të ardhshme më shumë të përqendrohet në lidershipin autokton.
Ndërsa politologu Ramush Tahiri, në kumtesën e tij vlerësoj lartë librin duke përmendur që “ Koncepti i drejtë i profesorit Beqaj, në realizimin e pritjeve nga liderët, i vlerësuar nga puna dhe nga veprimet e deklarata te liderëve, përkatësisht të udhëheqësve dhe të elitës së vendit, jo vetëm nga lëmia e politikës dhe qeverisjes edhe pse këtu pikërisht është fokusuar interesimi, merr për bazë pikëpamjen e Rosalyn Carter se “Një lider i madh i qon njerëzit aty ku duan të shkojnë, por aty duhet të jetë”.
Duke shtuar se autori Beqaj, në këtë libër, gërsheton pikëpamjet teorike për rolin dhe suksesin e liderit duke kaluar nëpër parimin” se kur je i mirë ndaj të tjerëve je i mirë ndaj vetvetes”- Dale Karnegie, për të shpjeguar karakteristikat e liderit të suksesshëm dhe të pasuksesshëm, madje bënë një krahasim të liderishipit të Kosovës me lidershipin e disa vendeve të tjera duke e marrë si shembull edhe vlerësimin që sekretarja e shtetit të SHBA-ve Medline Allbrajt ju bënë udhëheqësve të Kosovës, në përvojat që i pati me ta.
z. Tahiri shton se libri i Belul Beqajt “(S)a mund t’i besohet lidershipit të Kosovës”, është një libër që ka mungua, është një libër që ja vlen të lexohet, është një libër nga i cili ka se çka të mësohet, edhe në rastin kur pajtohesh, edhe në rastin kur nuk pajtohesh, edhe me të gjeturat…para së gjithash është një libër me të cilin mund të shërbehen studentët dhe studiuesit , si në metodologjinë e punës dhe të hulumtimit e të anketimit, ashtu edhe në inkorporimin e të dhënave , të pikëpamjeve të teorive , në funksion të temës së shtjelluar dhe në funksion të nxjerrjes së përfundimeve.
Kurse,politika nuk mundë të kuptohet si art i së mundshmes, dhe nëse aplikohet parimi se qëllimi arsyeton mjetin , kjo mund ta dëmtoj edhe politikën por edhe artin, tha Drejtori i Lëvizjes “Fol”, Petrit Zogaj.
Autori Beqaj, duke falënderuar të gjithë të pranishmit, tha se e ardhmja e shoqërisë kosovare i takon vetëm atij lidershipi, që është në gjendje të kuptoj nevojën, për të ndikuar në ndryshime të mëdha dhe të jashtëzakonshme të shoqërisë. Nëse ky libër ndikon në këndelljen e atyre që vendosin dhe posaçërisht në vetëdijen e mbështetësve , atëherë do të konsiderojë se kam përmbushur deri diku misionin e pareshtur, tha Dr. Beqaj.
Autori Prof. Dr. Belul Beqaj studimet themelore për Shkenca politike i ka përfunduar në Universitetin e Beogradit, ndërsa ka magjistruar në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, kurse ato të doktoratës i ka përfunduar në Universitetin Shtetëror të Maqedonisë. Është profesor në UBT. Është autor i dhjetëra punimeve publicistike-shkencore. Pjesëmarrës dhe bartës i shumë projekteve hulumtuese që kanë përfaqësuar Kosovën. Beqaj shquhet si njëri nga analistët më të dalluar politik të vendit. Ka botuar një varg titujsh të librave: “ Çështjes dita”, “Liria e shtypit në Kosovë”, “Çfarë ishte roli i RTK-së në ngjarjet e marsit 2004”, “Lidershipit”, “Roli i lidershipit në politikën e medieve të Kosovës” dhe “(S)a mund t’i besohet lidershipit të Kosovës” .