Rektori Hajrizi: Shkenca dhe inovacioni, prioritet i UBT-së për zhvillimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare

13/01/2025

UBT ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm duke u renditur në mesin e 100 universiteteve më të mira në botë dhe duke u veçuar në fusha specifike si inteligjenca artificiale dhe ndërmarrësia në nivel evropian. Ky institucion është pozicionuar si universiteti i dytë në Evropë për qasje në ndërmarrësi dhe i 26-ti në botë për inteligjencën artificiale, duke përforcuar rolin e tij si një qendër arsimore dhe shkencore kryesore në Kosovë dhe më gjerë.

Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, ka theksuar se puna shkencore është prioritet kryesor i institucionit. Gjatë vitit akademik 2024/2025, mbi 3 mijë studentë u regjistruan në UBT, me 75% të tyre të përqendruar në fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe menaxhim) dhe 25% në fusha të tjera. Sipas Hajrizit, UBT ka përfituar ndjeshëm nga projektet evropiane dhe ndërkombëtare, duke rritur numrin e diplomave të dyfishta dhe projekteve hulumtuese shkencore në bashkëpunim me institucione prestigjioze nga SHBA dhe Evropa.

Kemi pasur ngritje të ndjeshme në rankimet ndërkombëtare, si për ndërmarrësinë, ashtu edhe për inovacionin dhe inteligjencën artificiale. Gjithashtu, kemi krijuar mbi një mijë vende pune, duke kontribuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit”, theksoi ai.

UBT ka punuar për ta futur Kosovën në hartën ndërkombëtare të kërkimit shkencor, përmes digjitalizimit dhe zhvillimit të aplikacioneve teknologjike që ndihmojnë sektorë si arsimi publik dhe shëndetësia.

Kemi krijuar mundësi për trajtime mjekësore falas dhe kemi ndihmuar shkollat publike dhe institucionet me zgjidhje inovative”, shtoi Rektori Hajrizi, duke nënvizuar se arsimi i lartë në Kosovë ka ende nevojë për avancim, sidomos në pjesën e rankimeve shkencore.

Gjatë vitit 2024, UBT ka aplikuar për disa programe të reja studimore, duke përfshirë doktoratat në fushën e mjekësisë ndërkombëtare dhe zgjerimin e akreditimeve globale. Institucioni është gjithashtu i angazhuar në zhvillimin e komponentëve të qytetit të mençur 2025, një nismë që synon të vendosë Kosovën në qendër të teknologjisë dhe inovacionit.

UBT ka zgjeruar rrjetin e bashkëpunimeve me universitete dhe institucione ndërkombëtare si ato në Vjenë, Itali, Gjermani, Varshavë, Spanjë, Britani, dhe SHBA, duke forcuar programet e diplomave të dyfishta dhe duke ndarë njohuri të avancuara në teknologji dhe shkencë.

Synimet për të ardhmen
duke reflektuar mbi këto arritje, UBT synon ta rrisë më tej ndikimin e tij në skenën globale përmes avancimit të punës shkencore dhe integrimit të Kosovës në rrjetet ndërkombëtare të arsimit dhe kërkimit.

Prioriteti ynë për vitin 2025 do të jetë zhvillimi i punës shkencore, që Kosova të duket më mirë në statistikat globale dhe të përfaqësohet në nivele të larta”, përfundoi Rektori Hajrizi.

Me këto arritje dhe përkushtim, UBT po pozicionohet si lider në arsimin e lartë dhe një shtyllë e rëndësishme në zhvillimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.