UBT arrin numrin më të lartë të të punësuarve në sektorin privat të arsimit të lartë
08/01/2025Politika e punës dhe funksionimit të UBT-së, që nga themelimi e deri sot, në përvjetorin e saj të 24-të, ka pasur si qëllim kryesor përgatitjen e gjeneratave të reja për tregun e punës dhe angazhimin e tyre në sektorin privat të arsimit të lartë. Një tjetër prioritet i rëndësishëm ka qenë shndërrimi i UBT-së në një vatër punësimi për individë të tjerë.
UBT vazhdon të mbetet lider në arsimin e lartë jopublik, duke luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe në uljen e papunësisë në vend.
Nga fillimet e tij, kur funksiononte me një numër të vogël akademikësh, kryesisht nga rrafshi ndërkombëtar, sot UBT ka mbledhur qindra profesionistë dhe akademikë nga të gjitha trojet shqiptare. Këta individë janë shkolluar në universitetet më të njohura dhe prestigjioze të botës dhe tashmë ndajnë përvojën dhe ekspertizën e tyre me studentët e UBT-së.
Përveç kontributit në uljen e papunësisë, UBT ka vënë theks të veçantë edhe në fuqizimin e grave në shkencë dhe menaxhment, duke promovuar barazinë gjinore në punësim dhe zhvillim profesional.
Stafi akademik i UBT-së përbëhet nga ekspertë me kompetenca të larta profesionale dhe diploma nga institucione të njohura ndërkombëtare, çka përbën një vlerë të shtuar jo vetëm për institucionin, por edhe për Kosovën.
“UBT kryesisht përbëhet nga një staf akademik, ku shumica janë doktorë shkencash ose në proces të përfundimit të doktoraturës. Politika jonë është të mbështesim intelektualët e rinj që kanë studiuar jashtë dhe tani kanë mundësi të angazhohen në UBT. Ky trend i rritjes së stafit është një arritje e jashtëzakonshme për ne”, theksoi Rektori Hajrizi.
UBT është institucioni udhëheqës në lidhje me numrin e stafit të punësuar në arsimin privat të lartë. Ky trend rritjeje vazhdon çdo vit, duke pasqyruar përkushtimin e institucionit ndaj cilësisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm.