UBT dhe Sam Houston State University nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi: Nderohet Major Gjeneral David P. Glaser me çmimin më të lartë institucional

19/12/2024

Në një ceremoni solemne të mbajtur në UBT, u nënshkrua një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet UBT-së dhe Sam Houston State University, duke hapur horizonte të reja për shkëmbime akademike, projekte kërkimore dhe zhvillime inovative. Marrëveshja përfaqëson një angazhim të përbashkët për të promovuar cilësinë në arsim, lidershipin dhe ndërtimin e ekosistemeve të qëndrueshme në fushën e arsimit të lartë.

Në kuadër të kësaj ngjarjeje të rëndësishme, UBT nderoi me çmimin më të lartë institucional Major Gjeneral David P. Glaser, një figurë emblematike në lidershipin ushtarak dhe mbrojtjen e vlerave të paqes dhe sigurisë. Gjeneral Glaser ka një karrierë të jashtëzakonshme, duke shërbyer në pozita kyçe si Provost Marshal General of the Army dhe Komandant i U.S. Army Criminal Investigation Command, ku ai ka dëshmuar përkushtim dhe integritet të pashoq në misionet ndërkombëtare për paqe dhe stabilitet.

Në fjalën e tij, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, theksoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare për fuqizimin e edukimit dhe ndërtimin e urave të reja mes institucioneve prestigjioze si UBT dhe Sam Houston State University. Ai vlerësoi gjithashtu kontributin e Gjeneral Glaser në promovimin e vlerave universale të drejtësisë, sigurisë dhe bashkëpunimit global.

“Sot, ndërsa nderojmë me çmimin më të lartë institucional “Leadership Excellence Award”, një vlerësim që i jepet personaliteteve të shquara për arritje të jashtëzakonshme dhe kontribut të spikatur, sikurse është Gjeneral Major David P. Glaser, ne japim respekt dhe mirënjohje për rolin e tij të pashoq në shërbim të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Ky çmim simbolizon njohjen e përkushtimit të tij të palodhur dhe frymëzimit që ai ka dhënë për breza të tërë liderësh dhe profesionistësh, duke ndikuar jo vetëm në përmirësimin e standardeve të lidershipit, por edhe në avancimin e vlerave humane që forcojnë lidhjet mes kombeve dhe institucioneve globale”, u shpreh Rektori Hajrizi.

Gjeneral Glaser, i cili ka luajtur një rol të rëndësishëm në stabilizimin e Kosovës gjatë periudhave të vështira, u shpreh mirënjohës për këtë vlerësim, duke theksuar rëndësinë e edukimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për ndërtimin e një bote më të sigurt dhe më të drejtë.

Marrëveshja e nënshkruar dhe ceremonia e nderimit shënojnë një moment historik për UBT-në, duke forcuar rolin e saj si një lider në arsimin e lartë në rajon dhe përtej tij. Me këtë bashkëpunim, UBT dhe Sam Houston State University synojnë të krijojnë mundësi të reja për studentët, profesorët dhe komunitetet që përfaqësojnë, duke kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përparimin e shoqërisë.

Kjo ngjarje u përmbyll me mesazhe të fuqishme mbi rëndësinë e lidershipit, inovacionit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar si shtylla kryesore për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.