Ekspertët e GNTC Gorenje në UBT: Ligjëratë mbi tatimet dhe përdorimin e softuerëve të kontabilitetit

16/12/2024

Një ligjëratë tematike u mbajt për studentët e vitit të tretë të Fakultetit për Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi, në kuadër të lëndës “Kontabiliteti Tatimor”, e organizuar në bashkëpunim me profesorin Artan Haziri.

Takimi, i cili synonte ofrimin e një përvoje më të thelluar në lidhje me aplikimin praktik të tatimeve dhe kontabilitetit, u pasurua me prezantimet e dy ekspertëve të fushës: Florina Kadriu Vitija, Drejtoreshë e Auditimit të Brendshëm në kompaninë GNTC Gorenje, dhe Lirim Gashi, Drejtor Financiar në të njëjtën kompani.

Ligjërata kishte si temë “Këstet e tatimeve, streha e sigurt dhe detyrat përmes softuerit të kontabilitetit.” Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti ishte të krijohej një lidhje e ngushtë midis teorisë dhe praktikës për studentët, duke i njohur ata me parimet e përgjithshme të kontabilitetit tatimor dhe me metodat që përdoren në industrinë reale për menaxhimin e detyrimeve tatimore.

Me një përvojë të pasur profesionale, Kadriu Vitija dhe Gashi theksuan rëndësinë e tatimeve për çdo kompani dhe menaxhimin financiar të saj. Ata diskutuan aspekte kyçe të TVSH-së, tatimit mbi qiranë dhe llojeve të tjera të tatimeve, përfshirë bilancin vërtetues, si dhe procesin e deklaratës për tatimin mbi fitimin. Gjithashtu, ata nënvizuan rolin e kontabilitetit dhe tatimeve për shëndetin financiar të një kompanie, duke ofruar një pasqyrë të thelluar për përdorimin e softuerëve të avancuar të kontabilitetit në menaxhimin e këtyre proceseve.

Ligjërata u prit me shumë interes nga studentët, të cilët u angazhuan në diskutim dhe kontribuan me pyetje të shumta lidhur me temat e trajtuara. Në përfundim, ata u shprehën të kënaqur me mënyrën e paraqitjes dhe eksperiencën praktike që fituan, duke e konsideruar këtë mundësi si një hap të rëndësishëm për lidhjen e njohurive teorike me praktikën profesionale, një mundësi që do t’i ndihmojë ata në zhvillimin e karrierës së tyre në fushën e kontabilitetit dhe financave.