Kontribut i rëndësishëm në energjetikë: Promovohet libri shkencor i Akademik Isuf F. Krasniqi dhe profesorit të UBT-së, Dr. Sc. Avni S. Alidemaj

14/12/2024

Në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Seksioni i Shkencave të Natyrës organizoi një ngjarje të veçantë për promovimin e librit shkencor “Ndërprerësit e tensionit të lartë (110, 220 dhe 400 kV) me gaz SF6 – Proceset tranzitore”, një kontribut i vyer i Akademik Isuf F. Krasniqi dhe profesorit të UBT-së, Dr. Sc. Avni S. Alidemaj.

Prezent në këtë ngjarje ishin Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, Nënkryetarja e AShAK, Justina Shiroka Pula, akademikë, profesorë, si dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, së bashku me pjesëmarrës të tjerë nga fusha akademike dhe sektori energjetik.

Ky libër paraqet një punë të thelluar hulumtuese dhe analitike mbi ndërprerësit e tensionit të lartë që përdorin gazin SF6, një teknologji e avancuar dhe e domosdoshme në sistemet moderne elektroenergjetike. Autorët kanë adresuar çështje të rëndësishme si ndërlikimet teknike, qëndrueshmëria e operimit, siguria dhe efektet që këto pajisje kanë mbi proceset tranzitore në rrjetet e energjisë elektrike.

Gjatë promovimit, u theksua rëndësia e këtij libri si një burim i pazëvendësueshëm për profesionistët, akademikët dhe studentët e inxhinierisë elektrike, si dhe roli që ai luan në ndriçimin e çështjeve komplekse teknologjike për një fushë kaq jetike si energjia.

Përveç aspektit teknik, Akademik Isuf F. Krasniqi dhe Dr. Sc. Avni S. Alidemaj, ndanë eksperiencën e tyre në procesin e hartimit të librit, duke përmendur sfidat dhe përfitimet që sjell një punim i tillë për komunitetin shkencor dhe sektorin industrial. Ata vlerësuan gjithashtu mbështetjen e dhënë nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës për realizimin dhe promovimin e kësaj vepre.

Ky libër është konsideruar si një udhërrëfyes thelbësor për mirëmbajtjen dhe përmirësimin e stabilitetit të sistemeve elektroenergjetike, duke adresuar edhe përdorimin e qëndrueshëm dhe ekologjik të gazit SF6, një komponent i rëndësishëm, por që kërkon kujdes të shtuar për shkak të ndikimit potencial mbi mjedisin.