Në një ceremoni solemne ndahen bursat studentore nga Fondacioni “UBT Jim Xhema”
11/12/2024Të pranishëm në këtë aktivitet ishin figura të njohura nga fusha e arsimit, politikës dhe biznesit, përfshirë Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, Kryetarin e Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Diasporë, Naim Dedushaj, përfaqësues të familjes Xhema, Dr. Skënder Osmani dhe personalitete të tjera të njohura nga fusha e arsimit dhe biznesit.
Përfituesit e bursave ishin studentët e të gjitha trojeve shqiptare, nga Medvegja, Bujanoci, Presheva, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Diana Ibishi, Aurela Kamberi, Erlinda Zeneli, Valëza Rukovci, Eljesa Aliu, Sihana Hafuzi, Ediol Dragoti, Bledi Ramadani, Flora Çadraki, Jona Maliqi, Berni Guze, Arif Emini, Dzenis Kanacevic dhe Arbresha Temaj ishin emrat e studentëve që u vlerësuan ekselentë për të marrë këtë bursë.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, gjatë fjalës së tij në ceremoninë e ndarjes së bursave nga Fondacioni “UBT Jim Xhema”, theksoi rëndësinë e kësaj iniciative dhe përkushtimin e jashtëzakonshëm të Jim Xhemës për të rinjtë dhe arsimimin. Ai vuri në dukje se kjo nismë është shumë më tepër sesa dhënie e bursave, duke e konsideruar si një mundësi për të ndryshuar të ardhmen e Kosovës dhe për të siguruar mbështetje për studentët që janë të dedikuar për të ndërtuar një shoqëri më të zhvilluar.
“Fondacioni ‘UBT Jim Xhema’ është një model që dëshmon se investimi në arsim nuk është thjesht një ndihmë për individët, por një bazë e fuqishme për të ndryshuar shoqërinë në tërësi”, tha Rektori Hajrizi, duke shtuar se ky akt është një shtysë për të rinjtë dhe një hap përpara në ndihmën që ata mund të ofrojnë për zhvillimin e vendit.
Rektori gjithashtu e përmendi kontributin e jashtëzakonshëm të Jim Xhemës në avancimin e arsimit dhe kulturës, duke theksuar se ky është një investim që ka një ndikim të thellë dhe të gjatë. Ai theksoi: “Ky akt fisnikërie është vetëm një pjesë e përkushtimit të vazhdueshëm të z. Xhema, i cili ka investuar pa u lodhur në fushat e arsimit, kulturës dhe avancimit profesional të të rinjve. Një shembull i gjallë i këtij përkushtimi është emërtimi i një objekti në Parkun Shkencor Inovativ të UBT-së me emrin e tij”. Kjo tregon jo vetëm mirënjohjen e institucioneve për këtë figurë të shquar, por edhe një testament të qëndrueshmërisë së angazhimit të tij për të rinjtë.
Në fund të fjalës së tij, Rektori Hajrizi iu drejtua studentëve duke i inkurajuar ata që të shfrytëzojnë mundësitë që u ofrohen, duke u bërë gjithashtu një forcë për ndryshim në shoqërinë e Kosovës. “Ju jeni dëshmia e gjallë se përkushtimi, ambicia dhe puna e palodhur shpërblehen. Sot nuk është vetëm një mundësi për të përparuar, por edhe një përgjegjësi për të kontribuar në ndërtimin e një shoqërie më të mirë, përmes dijes dhe inovacionit”, tha ai, duke theksuar rolin e rëndësishëm që kanë studentët në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë fjalës së tij në këtë ngjarje solemne, theksoi rëndësinë e përkushtimit të Jim Xhemës për arsimin dhe rininë shqiptare. Ai e cilësoi këtë iniciativë si një akt që tejkalon dhënien e bursave, duke përshkruar atë si një ndihmesë të madhe për të ardhmen e Kosovës.
“Sot nuk jemi thjesht këtu për ta shënuar një akt bamirësie. Sot, jemi dëshmitarë të një gjesti që ndërthur historinë me të ardhmen”, tha ai, duke theksuar se ky është një hap përpara në ndihmën për zhvillimin e Kosovës. Kryetari Rama e përshkroi Jim Xhemën si një hero të padiskutueshëm, një figurë kyçe që ka ndihmuar në avancimin e çështjes shqiptare, veçanërisht gjatë periudhës më të vështirë të vitet ’90, duke i dhënë zë dhe mbështetje Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ai gjithashtu e theksoi se ky investim është një nxitje për të rinjtë që të punojnë për një të ardhme më të mirë dhe të ndihmojnë në ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar. “Zoti Xhema po investon në ju, sepse ai beson në ju. Ai beson se dija juaj, puna juaj, dhe pasioni juaj mund ta formësojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën dhe përtej saj”, theksoi Kryetari Rama. Ai e përfundoi fjalimin duke iu drejtuar studentëve për të kujtuar rëndësinë e këtij momenti, duke i inkurajuar që të shfrytëzojnë mundësinë që iu ofrohet për të kontribuar në zhvillimin e vendit.
Flora Çadraku, një nga studentët që fitoi bursën, u shpreh me mirënjohje dhe pasion: “Për mua, kjo bursë është një motivim i madh, një arsye për të punuar edhe më shumë. Është dëshmi që kur dikush beson tek ti, ti mund të arrish më shumë seç ke menduar”.
Ajo theksoi rëndësinë e mundësive që iu ofruan dhe angazhimin e saj për të përfaqësuar me sukses vlerat e Fondacionit “UBT Jim Xhema” dhe UBT-së, duke premtuar se puna dhe përkushtimi i saj do të jenë një pasqyrë e denjë e besimit që u dha.
Në fund të ceremonisë, studentët përfitues u shprehën të emocionuar dhe falënderues për mbështetjen që kanë marrë. Fondacioni “UBT Jim Xhema” synon të vazhdojë rrugën e tij për të fuqizuar gjeneratat e reja dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes komuniteteve dhe brezave.
Kjo iniciativë e UBT-së përforcon edhe një herë rolin e institucionit si një platformë që promovon ekselencën dhe fuqizon brezat e ardhshëm për të kapërcyer çdo kufi drejt suksesit.