UBT, mbledhje komemorative për Prof. Dr. Sadri Shkodren
01/07/2011Prishtinë, 30. 06. 2011- UBT, me një minutë heshtje ka filluar sot mbledhjen komemorative në shenjë respekti për profesorin e universiteti Prof. Dr. Sadri Shkodran , i cili ndërroi jetë para një dite.
“Në kohën kur këtij vendi ju desh angazhimi i secilit intelektual, profesori i matematikes Sadri Shkodra dha gjithçka mundi e dinte, por la gjurmë më të thella në veprimtarinë e tij profesionale. Studentët dhe mësimdhënësit e UBT-së do ta mbajnë mend gjatë këtë intelektual të angazhuar, sepse ai edukoi breza e breza, të cilët në të ardhmen do t’i shërbejnë vendit në bazë të mësimeve të tij.
Jemi sot në këtë vend pikërisht për t’ia njohur këto kontribute këtij njeriu të ndershëm, ngase veprat e mira lënë jehonë në kohë. Miku ynë Shkodra për aq kohë sa pati dha gjithçka mundi dhe kjo duhet t’na shërbejë si shembëlltyrë si duhet dhe si punohet për të mirën e shkencës dhe arsimit.
Ne, që punuam me të , që patëm kënaqësinë të njihemi nga afër, duhet të ndjejmë peshën e mallit dhe të nderojmë figurat e tilla, ngase kjo do t’i shërbejë të ardhmes tone. Mbi këtë bazë ndërtohen vlerat e mirëfillta shoqërore e kombëtare, ”, u shpreh para të pranishmëve Presidenti i UBT-së , Prof. Dr. Edmond Hajrizi.
Dekani i Departamentit të Menaxhment dhe Ekonomisë në UBT –së , Prof . Dr Musa Limani, gjatë flijimit të tij shprehi ngushllime e në veçanti familjes së të ndjerit: “E nderuara familje Shkodra, duke u bazuar në tëra ato që u thanë, e shumë çka që kanë mbetur pa u thënë për figurën dhe veprën e prof. dr Sadri Shkodra, me të drejtë mund të konstatojmë se vdekja e tij e hershme, nuk është vetëm humbje për familjen e farefisin e as vetëm për Kosovën, por për gjithë kombin dhe shkencat matematikore. Andaj, ju familja e ngushtë: bashkëshortja, fëmijët e farefisi, ashtu dhe ne kolegët dhe miqtë e tij, dhe i tërë kombi shqiptar, duhet të mburremi që e patëm një pedagog, intelektual e burrë të kalibrit siç që ishte Sadri Shkodra. Ndërkaq, fshati Desivojcë dhe komuna e Dardanes duhet të mburren që nga gjiri i tyre doli një intelektual i mirëfilltë, siç ishte prof. dr Sadri Shkodra. Nga kjo rrugë nuk mundën ta shmangin kurrfarë erërash e furtunash që frynin dhe ishin gjatë jetës së tij. Andaj, me të drejtë, mund të thuhet se Sadri Shkodra, me punën e tij pedagogjike, profesionale e shkencore, hynë në radhën e matematicientëve të shquar, jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha territoret shqipfolëse. Sot emrin e tij e përmendim me mburrje dhe krenari kombëtare, si studentët ashtu dhe ne kolegët e tij, sepse ishte personi i cili një jetë të tërë ia kushtoi edukimit, punës hulumtuese profesionale-shkencore, duke i begatuar kështu shkencat matematikore gjithëkombëtare.
Kurse për biografin e të ndjerit foli, Drejtori për çështje akademik në UBT, Dr. Binak Beqaj.
Prof. Dr. Sadri Shkodra u lind më 1 qershor 1944 në Desiviojcë të Dardanës (ish Kamenicë).
Studime themelore i fillon më 1964 dhe i përfundon 1968 në Universitetin e Prishtinës, Prishtinë, dhe merr titullin profesor, kurse studimet të magjistraturës në lëmin e matematikës i përfundon në Kroaci në Universitetit e Zagrebit dhe i përfundon 1968. Profesori Shkodra interesimin për dijen nga fusha e matematikës e vazhdon edhe me tutje ku gjatë vitit 1991 merr titullin doktor i shkenca të matematikës pran Universiteti të Prishtinës , pikërisht në Fakulteti i Shkencave Matematike Natyrore.
Po ashtu Prof Shkodra ka dhënë një kontribut të madh si në pozita menaxhuese dhe në edukimin e gjeneratave në universitetin e vetëm publik të vendit.
Karrierën e tij si profesor universitar e nis qysh në moshë të re ku njëherit fillon si profesor në Shkollën e Lartë të Gjilanit dhe më pas profesor i rregullt në Universiteti e Prishtinës në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Mekanikë, deri në vitin 2003. Dhe më pas, me tërë energjinë dhe dijen kalon si profesor i rregullt në UBT, po ashtu në Prishtinë.
Emrin e profesorit e hasim mbi 15 tekste shkencore universitare nga fusha e matematikës, statikës etj.
Po ashtu është bashkautor i disa librave monografive si: për familjen shkodran, për shkollën e normales në Gjilan, dhe për vendlindjen Desivojcen.
Përveç teksteve universitare Prof Shkodran ka edhe një var punimesh shkencore të nivelit të lartë të botuara në revista ndërkombëtare .
Emrin e prof Sadri Shkodrës e hasim edhe si redaktor i pesëmbëdhjetë libra të cilat ishin për studentët Shkollën e Lartë, si dhe tetë librave për studentët të Universitetit.
Profesor Shkodra pas vete la një familje të shëndosh dhe të edukuar.