Studentët e Fakultetit MBE në UBT mirëpresin ‘Fondin Kosovar për Garanci Kreditore’ për një ligjëratë informuese

02/12/2024

Në kuadër të lëndës Menaxhimi Bankar, të udhëhequr nga profesori Shpresim Vranovci, Fakulteti Menaxhment, Biznes dhe Ekonomi (MBE) pati kënaqësinë të mirëpresë përfaqësuesit e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), të cilët zhvilluan një ligjëratë informuese me studentët e këtij fakulteti. Tema e ligjëratës u përqendrua në rëndësinë dhe rolin e skemave garantuese në zhvillimin ekonomik, duke theksuar veçanërisht ndikimin e tyre në përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

   

Gjatë këtij takimi, studentët e Fakultetit MBE patën mundësinë të thellojnë njohuritë e tyre mbi funksionimin e skemave garantuese dhe ndikimin e këtyre mekanizmave në mbështetje të NMVM-ve për kapërcimin e sfidave financiare që hasin këto ndërmarrje. Diskutimi u fokusua gjithashtu në lidhjen mes këtyre skemave dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike në Kosovë, duke theksuar se mbështetje të tilla janë të domosdoshme për të nxitur inovacionin dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Ligjërata ofroi një balancë të shkëlqyer mes teorisë dhe praktikës, duke i angazhuar studentët me shembuj konkretë nga përvoja dhe veprimtaria e FKGK-së.

Anita Toçi, përfaqësuese e FKGK-së, ndau me studentët informacion të vlefshëm dhe mesazhe motivuese që i inkurajuan ata të angazhohen më shumë në zhvillimin e ekonomisë dhe sipërmarrjes vendore. Ky takim i jashtëzakonshëm u bë një mundësi për studentët që të kuptojnë më mirë se si funksionon sektori bankar dhe financat e ndërmarrjeve në vendin tonë.

UBT, gjithmonë e përkushtuar për të ofruar mundësi të tilla që pasurojnë edukimin dhe rrisin njohuritë e studentëve, vazhdon të krijojë mundësi për bashkëpunime të frytshme, të cilat ndihmojnë në përgatitjen e tyre për tregun e punës dhe i mundësojnë që të përfitojnë nga mundësi reale në zhvillimin e karrierave të tyre.