Urim i veçantë për 28 Nëntorin nga UBT
28/11/2024Në këtë ditë të shënuar, Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, në emër të gjithë stafit dhe studentëve, ka përcjellur urimet më të përzemërta për të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit Kombëtar, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, Ditëlindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljes së parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Për çdo shqiptar, 28 Nëntori është një datë që na mbush me krenari, shpresë dhe frymëzim. Në këtë ditë historike, Shqipëria shpalli Pavarësinë më 1912, një akt që solli lindjen e një shteti të lirë dhe të pavarur pas shekujsh nën sundimin e huaj. Flamuri kuqezi është simbol i krenarisë dhe identitetit tonë, është flamuri i lirisë dhe i përpjekjeve të përhershme dhe të pandalshme për një të ardhme më të mirë. Ky flamur, i cili mishëron ëndrrat dhe aspiratat e brezave të tërë shqiptarësh, nuk është thjesht një simbol i një historie të lavdishme, por edhe i një të ardhmeje të shndritshme, që e ndajnë shqiptarët kudo që jetojnë – nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës dhe deri në çdo cep të botës ku ndodhen shqiptarët. Sot, ne e nderojmë këtë flamur, sepse ai është më shumë se një shenjë krenarie; është pasqyrë e unitetit dhe solidaritetit të shqiptarëve, kudo që ata ndodhen”, ka thënë Rektori Hajrizi.
28 Nëntori është simbol i sakrificës, bashkimit dhe përpjekjeve të pandalshme për liri dhe dinjitet kombëtar. Nga akti historik i shpalljes së Pavarësisë më 1912, te heroizmi i familjes Jashari dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kjo ditë mbetet frymëzim për çdo shqiptar që e ndjen flamurin kuqezi si shenjë të identitetit dhe krenarisë sonë kombëtare.
UBT, si institucion i përkushtuar ndaj zhvillimit dhe arsimimit të brezave të rinj, nderon këtë ditë historike dhe është krenare që kontribuon në forcimin e vlerave kombëtare dhe përgatitjen e liderëve të së ardhmes, të cilët do të mbajnë lart këtë flamur dhe ëndrrat e të gjithë shqiptarëve.