Studentët e UBT-së fitojnë çmimin prestigjioz në konkursin e arkitekturës Frozen Music nga Titan Sharrcem

28/11/2024

Ardon Beqa dhe Malika Lohaj, studentë të Fakultetit të Arkitekturës në UBT, janë shpallur fitues të Çmimit të Parë në konkursin ndërkombëtar të dizajnit të arkitekturës “Titan Sharrcem Frozen Music”, duke u dalluar për vizionin dhe krijimtarinë e tyre novatore.

Konkursi ishte i hapur për pjesëmarrje nga studentë të institucioneve të ndryshme, dhe shumë studentë të UBT-së konkurruan me projekte të shkëlqyera. Megjithatë, Ardoni dhe Malika triumfuan me projektin e tyre të veçantë, duke fituar çmimin e parë prej 5,000 €.

“Fitorja jonë është rezultat i përkushtimit dhe mësimdhënies cilësore që kemi marrë në UBT”, u shprehën fituesit. “Jemi mirënjohës për mbështetjen e stafit akademik dhe mundësinë për të treguar potencialin tonë në një platformë ndërkombëtare”.

Juria ndërkombëtare dhe interdisiplinare, e udhëhequr nga Titan Sharrcem, përfshinte personalitete të njohura të fushës, duke përfshirë Prorektorin e UBT-së dhe Dekanin e Fakultetit të Arkitekturës, Prof. Dr. Binak Beqaj. Ky kombinim ekspertësh garantoi një vlerësim profesional dhe objektiv të projekteve pjesëmarrëse.

Ky sukses i jashtëzakonshëm i Ardonit dhe Malikës jo vetëm që përfaqëson një arritje të tyre personale, por dëshmon edhe një herë nivelin e lartë të përgatitjes profesionale në UBT, duke e vendosur universitetin në krye të institucioneve që promovojnë arkitekturën bashkëkohore dhe inovacionin.

Fitorja e tyre është një frymëzim për brezat e rinj të arkitektëve që synojnë të ndërtojnë të ardhmen me guxim dhe krijimtari.