Doli nga shtypi libri “Tranzicioni i medies në Kosovë” i profesorit të UBT-së, Safet Zejnullahu
27/11/2024Profesori i Fakultetit Media dhe Komunikim në UBT, Safet Zejnullahu, ka botuar librin e tij të titulluar “Tranzicioni i medies në Kosovë”. Ky libër është i dedikuar studentëve të gazetarisë, gazetarëve hulumtues dhe redaktorëve të profesionalizuar.
Sipas autorit, ky libër është një finalizim i një procesi të gjatë hulumtues në një fushë që nuk është hulumtuar shumë në Kosovë. Ai thekson se ky është një studim që synon të ofrojë një pasqyrë të hollësishme për funksionimin e medias në Kosovë në periudha të ndryshme historike.
“Jam përpjekur të sjell para publikut të dhëna për funksionimin e medies në Kosovë, duke nisur nga periudha e sistemit totalitar, funksionimi në kushte pushtimi e aparteidi, në kohë lufte, si dhe në rrethanat e ringritjes së sistemit mediatik pas luftës”, tha profesori Zejnullahu.
Ky libër është ndër të parët që hulumton në detaje zhvillimin dhe tranzicionin e medias në Kosovë. Siç thekson autori, ky tranzicion është unik dhe sui generis për shumë aspekte, duke ofruar një analizë të thelluar mbi sfidat dhe transformimet e mediatike në Kosovë pas periudhës së luftës.