Studentët e UBT-së mësojnë për redaksinë dhe procesin e prodhimit të lajmit në Telegraf
21/11/2024Kuadri i studimeve në drejtimin Media dhe Komunikim është shumë i gjerë dhe përfshin një mori temash që lidhin aspekte teorike, praktike dhe teknologjike të komunikimit. Ky program studimi përfshin lëndë të ndryshme, të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin e aftësive dhe njohurive në këtë fushë, dhe krahas leksioneve, studentët kanë mundësi të realizojnë dhe vizita studimore.
Në vazhdën e takimeve, studentët e vitit të parë të departamentit të gazetarisë, të monitoruar nga zyrtarja e UBT-së, Albina Zeneli, kanë realizuar një vizitë në portalin Telegrafi, ku janë mirëpritur nga kryeredaktori, Muhamet Hajrullahu.
Hajrullahu ka shpjeguar më në detaje ecurinë e punës së një redaksie. Studentët patën rastin të parashtrojnë pyetje, ku janë informuar rreth punës që zhvillohet nga desku informativ, por edhe nga dhoma teknike, ku bëhet montazha dhe dizajni final.
“Puna në ekip ka rëndësi të madhe dhe përfshin bashkëpunimin midis individëve që kanë aftësi dhe role të ndryshme, por që punojnë së bashku për të realizuar qëllime të përbashkëta. Puna në ekip është thelbësore për arritjen e suksesit në shumë fusha, përfshirë lajmin në web me burime, dizajnin, fotografitë dhe montazhën cilësore,” tha mes tjerash Hajrullahu.
Ai ka theksuar që, pavarësisht ndryshimeve teknologjike, lajmi në këtë medium online ka vlerë të madhe dhe pohon faktin që më mirë të jetë pak i vonuar, por kur të transmetohet tek masa, të ketë efekt në lexueshmëri.
Kjo përvojë e drejtpërdrejtë në një ambient profesional i ndihmoi studentët të kuptonin më mirë sfidat dhe mundësitë që ofron industria e medias digjitale, dhe si mund të aplikojnë në praktikë njohuritë që po përftojnë në kurset e gazetarisë. Vizita ishte një hap i rëndësishëm për ata, duke i ndihmuar të zhvillojnë një pasqyrë më të qartë për atë çfarë do t’i presë në tregun e punës pas përfundimit të studimeve.
Përndryshe, UBT ka partneritet me Telegrafin dhe në kuadër të studimeve, studentet kanë mundësi ta mbarojnë punën praktike në këtë portal e pastaj edhe duke punuar me kontratë sepse kjo është jo vetëm një mënyrë për të siguruar një jetesë, por gjithashtu një mundësi për të zhvilluar aftësi, për të kontribuar në shoqëri dhe për të arritur qëllime personale dhe profesionale./UBT News/