UBT organizon për herë të dytë Garën Evropian të Robotëve që luajnë futboll

13/04/2011

Prishtinë,  13 prill 2011 – UBT organizon edhe një aktivitet unik ndërkombëtar. Federata Evropiane e Futbollit me Robotë, pas organizimit me sukses vitin e kaluar, ia ka besuar UBT-së organizimin për herë të dytë me radhë Garës  Evropian të Robotëve që luajnë futboll.

Kështu, kjo garë  do të mbahet nga 3 – 6 maj 2011, në lokalet e UBT-së në Prishtinë.

Organizimi i këtij aktiviteti  shënon edhe një sukses të UBT-së, por njëkohësisht edhe të Republikës së Kosovës, që është shteti i vetëm në Evropën Juglindore ku organizohet, madje për të dytën herë, një aktivitet i karakterit shumë të rëndësishëm ndërkombëtar.

Deri tash pjesëmarrjen në Garën Evropian të Robotëve që luajnë futboll e kanë konfirmuar disa ekipe nga shtetet evropiane, të njohura për aktivitete në fushën e robotëve që luajnë futboll.

Sikur edhe në kampionatin e kaluar, vendin tonë në këtë garë do ta përfaqësojë ekipi “UBT-Kosova”, i cili e ka përfaqësuar Kosovën edhe në kampionate të mëhershme evropiane, përfshirë të në Zvicër e Austri, ku ka shënuar suksese të dalluara.

Me këtë rast, organizatori ka parapa të mbahet edhe një koherencë shkencore për robotik, ku pritet një numër i madh studiues ndërkombëtar dhe vendorë ti paraqesin punimet e tyre nga fusha në fjalë.

Në ceremoninë e hapjes dhe gjatë zhvillimeve janë të ftuar të  marrin  pjesë përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, profesorë e ekspertë vendorë e ndërkombëtarë, përfaqësues të kompanive të ndryshme, përfaqësues të biznesit, studentë e mysafirë të tjerë.

Garat Evropiane të Robotëve që luajnë futboll  zhvillohen në objektin e UBT në Prishtinë dhe mund të përcillen nga të gjithë të interesuarit.