Studentët e nivelit Master në Fakultetin e Shëndetit Publik dhe Menaxhim vizitojnë Institutin e Shëndetit Publik në Prizren
11/11/2024Në kuadër të lëndës “Promovimi i Shëndetit Publik”, studentët e nivelit master të Fakultetit të Shëndetit Publik dhe Menaxhim nga UBT realizuan një vizitë studimore në Institutin e Shëndetit Publik në Prizren. Kjo vizitë kishte për qëllim të afronte studentët me realitetin profesional të menaxhimit të shëndetit publik, duke i ndihmuar të kuptojnë rëndësinë e promovimit dhe mbrojtjes së shëndetit për komunitetin lokal.
Studentët u pritën nga drejtori i institutit, Prof. Dr. Fadil Kryeziu, i cili i informoi për misionin dhe përgjegjësitë e këtij institucioni në ofrimin e shërbimeve të shëndetit publik dhe menaxhimin e situatave që lidhen me përmirësimin e shëndetit të komunitetit në Prizren. Prof. Dr. Kryeziu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe angazhimit për të ofruar strategji që ndikojnë pozitivisht në jetën dhe mirëqenien e qytetarëve.
Gjatë vizitës, studentët patën mundësinë të njihen me praktikat më të mira në promovimin e shëndetit publik, duke përfshirë disa nga shërbimet dhe strategjitë konkrete që instituti implementon për parandalimin e sëmundjeve dhe edukimin shëndetësor të popullsisë. Ata vlerësuan rëndësinë e punës së Institutit të Shëndetit Publik dhe mënyrën sesi ky institucion trajton sfidat e vazhdueshme për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të qytetarëve të Prizrenit.
Përvoja e marrë nga kjo vizitë është e vlefshme për studentët, duke i ndihmuar jo vetëm në përvetësimin e koncepteve teorike, por edhe në zhvillimin e aftësive praktike që do t’i shërbejnë në karrierën e tyre të ardhshme. Studentët ndanë përshtypjet e tyre pozitive mbi rëndësinë e këtyre aktiviteteve praktike, të cilat përforcojnë njohuritë e marra në auditorë dhe krijojnë ura bashkëpunimi mes institucioneve akademike dhe atyre të shëndetit publik.
Kjo vizitë studimore përforcon qëllimin e Fakultetit të Shëndetit Publik dhe Menaxhim në UBT për të ofruar një arsimim të thelluar dhe të gjithanshëm, i cili u mundëson studentëve të kontribuojnë në përmirësimin e shëndetit publik në Kosovë dhe më gjerë.