UBT merr pjesë në Forumin e ENSE-s në Tiranë – në fokus integrimi i teknologjive inovative në edukimin sportiv
02/11/2024Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi, i shoqëruar nga Dekani i Fakultetit të Shkencave të Sportit dhe të Lëvizjes, Prof. Agron Thaqi, si dhe Profesori Masar Gjaka, mori pjesë në Forumin e 17-të të Organizatës ENSE, i titulluar “Bridging Borders through Sport Education: The Euro-Balkan-Med Perspective”, i cili u mbajt në Tiranë.
Ky forum, i organizuar nga ENSE ku UBT është anëtar, ishte një platformë e rëndësishme për ndarjen e njohurive dhe praktikave më të mira në fushën e edukimit sportiv. Gjatë forumit, Rektori Hajrizi prezantoi mbi temën “Integrating AI and XR-based technology for sport education (classroom 4.0) at UBT smart city”.
Ai ilustroi mënyrën se si inteligjenca artificiale dhe teknologjitë e realitetit të shtuar po integrohen në edukimin sportiv, si dhe procesin e trajnimit të mentorëve dhe trajnerëve sportivë.
Pas prezantimit, u organizua një sesion pyetje-përgjigje, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë më në detaje këto teknologji inovative.
Gjithashtu, Profesor Masar Gjaka shqyrtoi temën “Dual-career in the Republic of Kosovo: Current State and Future Perspective”, duke ofruar një analizë të situatës aktuale dhe perspektivave për karrierat dyfishe të atletëve në Kosovë.
Pas përfundimit të prezantimeve, Rektori Hajrizi, së bashku me profesorët Thaqi dhe Xhaka, zhvilluan takime me përfaqësues të institucioneve të ndryshme, përfshirë një takim me Antonio Tessitore, Presidentin e ENSE, për të diskutuar mundësitë e rritjes së bashkëpunimit dhe zhvillimin e mëtejshëm në fushën e edukimit sportiv.